NË MUNGESË TË NEUERIT

Fotot: fcbayern.com
Yan Sommer zyrtarizohet te Bayerni
19 January, 2023 @15:55
Pas lëndimit serioz të Manuel Neuerit, Bayern München ka siguruar shërbimet e njërit ndër portierëve më të dalluar në Bundesligë, Yann Sommer.
Sommer 34-vjeç, ka ardhur nga Borussia Mönchengladbach, ndërsa ka nënshkruar kontratë me Bayernin deri më 30 qershor të vitit 2025. Krejt kjo, pasi që Neuer 36-vjeç theu këmbën gjatë skijimit dhe pas kontrolleve mjekësore u konstatua se ai ka humbur sezonin 2022/23.
Sommer që nisi karrierën te Basel, ka ardhur në Bundesligë në vitin 2014, ndërsa për Borussia Mönchengladbachun ka luajtur 335 ndeshje. Në vitin 2012 debutoi për kombëtaren zvicerane, ndërsa është bërë rekorder i paraqitjeve si portier me Zvicrën, duke luajtur 80 ndeshje.
Nga adhuruesit e futbollit në anët tona, mbahet shumë mirë në mend, kur ia kishte mohuar një mundësi të pastër për gol Shkëlzen Gashit, kur Shqipëria debutoi në evropian në ndeshje ndaj Zvicrës në EURO 2016.
Sipas informatave që ka siguruar Kicker, Bayern ka paguar 8 milionë euro dëmshpërblim për Sommerin, plus do të ketë edhe bonuse, ndërsa kontrata e tij me Gladbachun do të skadonte në fund të këtij sezoni.