LLAPI 2-0 ARBERIA
Zhdrella e Januzi ia sigurojnë fitoren e parë Llapit
24 October, 2020 @15:58
Pas shtatë xhirove të zhvilluara, Llapi ka arritur të shënojë fitoren e parë në Superligë dhe për të dalë nga fundi i tabelës.
Ekipi i drejtuar nga Tahir Batatina ka mposhtur sot Arbërinë në Zahir Pajaziti 2-0 [Mentor Zhdrella 12p, Ahmed Januzi 48] për të marrë tre pikëshin e parë të sezonit 2020/21.
Pas një penalltie të hershme në fillim të ndeshjes, Mentor Zhdrella i ka dhënë epërsinë llapjanëve në minutën e 12 të takimit për të vazhduar qetë ndeshjen.
Ndërsa menjëherë me të filluar pjesa e dytë ka qenë Ahmed Januzi që ka dyfishuar epërsinë e vendasve për të çuar ndeshjen qetë deri në fund.
Llapi ka pasur edhe disa raste në vazhdim, për të konfirmuar dominimin në ndeshje. Zhdrella ka provuar nga gjuajtja e lirë (71) më pas ka tentuar edhe Arbnor Ramadani, por goli s’erdh.
Në anën tjetër, rasti më i mirë i mysafirëve të drejtuar nga Arbnor Morina ka qenë penalltia e humbur nga Almir Kryeziu. Kryeziu (74) tentoi nga pika e bardhë për të ulë epërsinë dhe ndoshta do të çonte ndeshjen në një fund dramatik, por portieri i ri i Llapit Steven Hoffman e ka mbrojtur goditjen e tij dhe kështu vendasit përfunduan takimin me 3 pikët e para të stinorit. Ky ka qenë debutimi i Hoffmanit në këtë ndeshje për Llapin.
Derisa Llapi në total tash ka 5 pikë, Arbëria ka regjistruar humbjen e tretë të stinorit.