INFRASTRUKTURA
1.1 milionë € për Adem Jasharin
25 June, 2016 @15:52
Qeveria e Kosovës ka ndarë 1.1 milionë € për renovimin e stadiumit Adem Jashari në Mitrovicë, në mënyrë që t’i plotësojë kriteret kërkuara nga UEFA dhe FIFA.
Lajmi është bërë i ditur sot nga Ministri i Financave i Qeverisë së Kosovës, nëpërmjet faqes së tij zyrtare në Facebook.
“Qeveria alokon 1.1 mil euro për për plotësimin e kushteve të vëna nga FIFA dhe UEFA për rregullimin e stadiumit olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë, prej të cilës 0.5 mil euro ndahen nga rezerva. Tash i mbetet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të kryejë të gjitha punët me kohë për ndeshjen e kombëtares së Kosovës.
Pranimi i Kosovës në FIFA dhe UEFA është shpresë dhe motivim për të rinjtë sportistë. Qeveria do të mbështesë maksimalisht, brenda mundësive që ka, sportistët si dhe ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme sportive. Sporti po ndihmon shumë, krahas diplomacisë, në konsolidimin e identitetit ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës,” shkruan në njoftimin e Ministrit.
Në stadiumin Adem Jashari ishte investuar edhe rreth dy vite më parë para se të zhvillohej ndeshja e parë miqësore ndërkombëtare e Kosovës ndaj Haitit më 5 mars 2014, mirëpo për shkak të mosmirëmbajtjes në mënyrë të rregullt, stadiumi është degraduar shumë shpejtë.