Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

KOLUMNE

5 për fundjavë!

5 për fundjavë!


Shkruan: G.P

5 March, 2021 @16:38

Pas një pushimi të përkohshëm, TopSporti rikthen rubrikën “5 për fundjavë!”, që ka për qëllim t’i listojë 5 ndeshjet për t’i shikuar në futbollin evropian gjatë fundjavës.

Pesë ndeshjet për të mos u humbur gjatë kësaj fundjave në futbolllin evropian janë:

1. Bayern vs. Dortmund (e shtunë, 18:30)

Ndonëse Bayerni është favorit dhe Dortmundi është larg luftës për titull edhe këtë vit, ndeshjet mes këtyre skuadrave gjithmonë dhurojnë futboll atraktiv. Këtë sezon edhe Bayerni po pëson më shumë gola se sezonin e kaluar (që mund t’i kushtojë në Champions), gjë që e bën shënimin e shumë golave në këtë ndeshje edhe më të mundshëm.

2. Juventus vs. Lazio (e shtunë, 20:45)

Pas kushedi-sa viteve, Italia këtë vit do të ketë një kampion tjetër, sipas të gjitha gjasave Interin. “Eksperimenti” Pirlo nuk doli të jetë i suksesshëm në vitin e parë, megjithatë italiani duket se do të qëndrojë në krye të Juventusit, me klubin nga Torino që ka një projekt afatgjatë për të sipas raporteve të fundit të mediave italiane.

Përballja e kësaj fundjave ndaj Lazios duhet të jetë përsëri “e shikueshme” për futbolldashësit. Në pesë takimet e fundit mes tyre, të dyja skuadrat kanë shënuar së paku nga një herë, ndërkohë që dy prej tyre i ka fituar Lazio, dy Juventusi, e një takim ka përfunduar baraz - statistika që në japin shpresë për një ndeshje të fortë të shtunën.

De Ligt, Bentacur, Dybala, Cuadrado e Bonucci do t’i mungojnë Juventusit në këtë takim, e te Lazio shpresojmë ta shohim në fushë Vedat Muriqin.

3. Verona vs. Milan (e diel, 15:00)

Nuk tingëllon sikur ndeshjet Atletico vs. Real apo City vs. United, por megjithatë do të jetë një ndeshje e fortë.

Verona, prej skuadrave me mbrojtjen më të mirë në Itali, përballë Milanit që është skuadra më e mirë në Itali në ndeshjet jashtë shtëpisë.

Dy humbje dhe një barazim në katër ndeshjet e fundit kanë bërë që Milani tashmë të jetë 6 pikë larg Interit liderit, e një fitore ndaj Veronës do ta afronte në 3, për ta pritur më pas ndeshjen e Interit ndaj Atalantas të hënën në mbrëmje.

Gjithsesi, edhe nëse fiton ndaj Veronës, Milani nuk do të ketë forcë ta ndjekë deri në fund titullin, ngjashëm sikurse Manchester United në Premier League.

4. Atletico Madrid vs. Real Madrid (e diel, 16:15)

Tri gabimet e Atleticos në pesë ndeshjet e fundit i kanë bërë mirë garës për titull në La Liga, me Real Madridin e Barcelonën që tashmë janë afruar dukshëm. E një barazim apo fitore e Real Madridit të dielën mund ta bëjë edhe më interesante garën, sidomos nëse Barcelona fiton paraprakisht të shtunën në udhëtim te Osasuna.

Si shumë herë këtë sezon, edhe të dielën skuadra e Zidane do të jetë me shumë mungesa për shkak të lëndimeve. Në dyshim është edhe paraqitja e francezit Karim Benzema, bartësit të lojës në sulmin e skuadrës.

Padyshim, kjo përballje do të ishte disa herë më e bukur sikur të luanin edhe Diego Costa e Sergio Ramos, i pari tashmë i larguar e i dyti momentalisht i lënduar.

5. Manchester City vs. Manchester United (e diel, 17:30)

Për pak momente në fillim të janarit menduam që edhe United është në garë për titull, por shpejt gjithçka iu kthye realitetit: City nuk u ndal për asnjë moment, e United iu rikthye problemeve të vjetra, fillimisht duke mos ditur të mbrohet, e së fundi as duke mos ditur të shënojë.

Si zakonisht që nga ardhja e Solskjaer, United ndaj Cityt do të startojë me McTominay e Fred si mesfushorë defansivë, e loja do të jetë e bazuar në kundërsulme falë shpejtësisë së Rashford e Greenwood/James. Në fakt, kështu United e kishte mposhtur Cityn disa herë vitin e kaluar, mirëpo këtë vit mbrojtja e Cityt është dukshëm më e mirë falë ardhjes së Ruben Dias e formës së rigjetur së John Stones, prandaj skenari i vitit të kaluar vështirë se do të përsëritet të dielën.

Pavarësisht se çfarë ndodhë në derbi, City rreth xhiros së 34 do ta mbyllë Premier Leaguen, ndërkohë që sivjet duket më i pjekur se kurrë edhe për ta fituar Ligën e Kampionëve, sidomos pas përmirësimit të problemeve në mbrojtje.

E “keqja” e tri ndeshjeve më të mira të ditës së diel është që qëndrojnë shumë pranë njëra-tjetrës në orar dhe të trija nuk mund të shikohen plotësisht, mirëpo të paktën nga një pjesë prej secilës mund ta shikojmë.


 
Të gjitha lajmet nga Premier League