KOLUMNE
5 për fundjavë!
Shkruan: G.P
22 April, 2022 @12:00
Dalëngadalë, po shkojmë drejt xhirove vendimtare të sezonit në ligat evropiane.
Pesëshja e zgjedhur e ndeshjeve për t’u shikuar për këtë fundjavë është kjo:
1. Arsenal - Manchester United (e shtunë, 13:30)
Me një ndeshje më pak të luajtur, Arsenali ka 3 pikë më shumë se Manchester United dhe ndodhet në një pozitë pak më të mirë në luftën për top-katër. Londinezët lëshuan pikë ku nuk duhej në xhirot e fundit, por fitorja ndaj Chelseat të mërkurën ishte shumë e madhe në luftën për top-katër, një natë pasi United u shpartallua nga Liverpooli në Merseyside.
Gjithçka çka mund të thuhet për këtë Manchester United kaotik tashmë është thënë: klub i drejtuar keq, kryesi e paaftë e lojtarë të papërgjegjshëm e të mbipaguar.
Nëse Arsenali fiton të shtunën, Manchester United me shumë gjasë do të përshëndetet nga gara për top-katër, e nëse United fiton, do të mbetej ende në garë dhe gara do të ishte edhe më interesante deri në fund. Nëse ky takim përfundon me barazim të shtunën, më i kënaquri do të ishte Tottenhami.
Si shumë herë në vitet e fundit, gara për vendin e katërt në Angli edhe këtë sezon po bëhet mes skuadrave që nuk ndalen së lëshuari pikë edhe në ndeshjet më të thjeshta.
Ndoshta zyrtarizimi i Erik ten Hag do t’i zgjojë nga gjumi lojtarët e Unitedit për ndeshjen e së shtunës. Do të shohim!
2. Inter - Roma (e shtunë, 18:00)
Goli që Roma e shënoi në fund të ndeshjes ndaj Napolit mund të jetë shumë vendimtar në luftën për titull në Itali. Skuadra napolitane ka qenë fantastike jashtë shtëpisë këtë sezon, e nga gara për titull duket se do të dalë nga gabimet e bëra në shtëpi. Lëshimi i dy-pikëve ndaj Romës xhiron e kaluar ishte tmerrësisht i pafalshëm.
Tash, do të shohim nëse Roma do ta ndalë edhe Interin, për t’ia bërë edhe një nder Milanit në luftën për titullin kampion.
Ndaj ish-skuadrës së tij, Jose Mourinho shkon duke qenë i pamposhtur në ligë që nga 9 janari, ndërkohë që mbetet në garë për ta fituar UEFA Conference Ligën, trofe që Jose do të donte ta fionte shumë, për ta ridëshmuar që ai fiton trofe kudo që shkon.
Interi po luan më mirë xhirot e fundit dhe e ka kaluar formën e luhatshme të dy muajve paraprakë. Janë në një pozitë të mirë për titullin kampion, e ndërkohë janë në pozitë të mirë për ta fituar edhe Coppa Italian.
Nëse e shohim kalendarin, kjo është ndeshja më e vështirë e Interit në pjesën e mbetur të sezonit të Serie A-së. Nëse e fiton këtë ndeshje, vështirë se do ta lëshojë titullin.
3. Bayern München - Dortmund (e shtunë, 18:30)
Për fat të keq, kjo ndeshje i gjen këto dy skuadra me synime të mbyllura sezonale.
Bayerni do ta fitojë titullin e Bundesligës, e Dortmundi do të përfundojë i dyti, ndërkohë që të dyja janë eliminuar nga garat evropiane si dhe nga Kupa e Gjermanisë.
Eliminimi i Bayernit nga Villarreali në Champions League padyshim që është befasi, por jo aq befasi sa mund të cilësohet nga ata që nuk e kanë parë Bayernin duke luajtur këtë sezon. Megjithëse i fitonte ndeshjet, Bayernit këtë sezon i mungonte ai instikti vrastar që e kanë skuadrat kur e dominojnë totalisht një ligë dhe kur janë favoritë për ta fituar Ligën e Kampionëve.
Do të shohim se çfarë do të bëjë në verë Bayerni, ndërkohë që Dortmundi me siguri edhe këtë herë do të përballet me largime yjesh, një prej tyre me shumë gjasë do të jetë norvegjezi Haaland.
Pavarësisht se asnjëra nuk ka synime sezonale të mbetura, ndeshja do të jetë e mirë për futbolldashësit. Pa harruar që po ta fitojë këtë takim, Bayerni bëhet matematikisht kampion i Gjermanisë, për të dhjetën herë me radhë.
4. Liverpool - Everton (e diel, 17:30)
Pas deklasimit jo edhe aq të paparashikueshëm që ja bëri Manchester Unitedit në fundjavë, Liverpooli këtë fundjavë ka punë me rivalin e dytë më të madh historik, Evertonin.
Skuadrën e kaltërt nga Merseyside ky derbi e gjen në pikën më të ulët të mundshme, në rrezik serioz për të rënë nga liga, e duke e shtuar faktin që Burnley fitoi në mesjavë ndaj Southamptonit, presioni te Evertoni rritet.
Liverpooli mund ta ketë pak mendjen në Champions League, sepse luan në gjysmëfinale fundjavën e ardhshme, por ka skuadër të rregulluar për mrekulli, ku edhe kur bëhen rotacione, pothuajse nuk vërehet që po mungojnë startuesit.
Një mrekulli i duhet Evertonit për të shpëtuar të dielën, por do të shohim.
5. Lazio - Milan (e diel, 20:45)
Pas eliminimit nga Coppa Italia, Milanit i mbetet të luftojë vetëm për titullin e Serie A-së, aty ku ia ka komplikuar vetes jetën me dy barazimet ndaj Bolognas e Torinos në 3 xhirot e fundit.
Ndaj Lazios në Romë nuk do të jetë aspak e lehtë, e presioni do të rritet edhe më shumë nëse Interi fiton ndaj Romës një ditë më parë.
Nëse flasim për përballjet direkte, Milani këtë sezon e ka mposhtur dy herë Lazion, një herë në Kupë (bindshëm) e një herë në ligë në fillim të sezonit, por në Olimpico, ndaj skuadrës me sulmin e dytë më të mirë në ligë, kuqezinjëve iu duhet një lojë shumë e mirë për ta fituar takimin.
Kanë gabuar në momentet vendimtare dhe pjesa e mbetur e kalendarit nuk i favorizon përballë Interit, por megjithatë, nëse marrim parasysh gjithçka, ky sezon për Milanin ishte i shkëlqyeshëm, edhe nëse mbyllet pa trofe. Një verë me transfere të qëlluara do të mund ta bënte skuadrën tamam të pjekur për ta fituar titullin sezonin tjetër.