KOLUMNE
7 për fundjavë!
Shkruan: Luan Morina
10 December, 2016 @14:14
1.Leicester City – Manchester City (e shtunë, ora 6e30)
Ka edhe lojëra tjera të shtunën, por shumë të mira ka të dielën. Çdo herë që përmend Leicesterin, përmendi edhe mbrojtjen e tyre të tmerrshme. Michael Keane dhe Niklas Sule janë emra që duhet të luajnë në shkurt për Ranierin. Edhe në Evropë! Pjesa tjetër e ekipit është në rregull, por mosha e bën të veten. Mrekullitë zgjasin tri ditë.
Guardiola ka humbur ndeshjen ndaj Chelseat! Tentimi për të mposhtur Conten me formacionin e italianit ka pasur kundër-efekt. Rotacionet e panevojshme po lëndojnë Cityn dhe kjo është e pritshme në sezonin e parë të spanjollit në Angli. Kam frikë që ky është vetëm fillimi për ta.
2.Torino – Juventus (e diel, ora 3)
Derbi torinez zakonisht përfundon me fitore të pastër të Juventusit. Nuk pres të jetë më ndryshe as këtë vit. Vërtetë Mihajlovic ka nxjerrë më të mirën nga talentet e ekipit të Torinos, por nuk besoj se mjaftojnë të mposhtin Juventusin. Edhe në ndeshjen e fundit kundër Sampdorisë nuk kanë qenë bash mirë. Në anën tjetër Juventus ka treguar dhëmbët ndaj Atalantas. Tani e ka radhën Torino.
3.Manchester United – Tottenham (e diel, ora 3e15)
Tottenhami nuk ka mjaft ekip të gjerë për të luftuar edhe në Evropë edhe në Premier League. Për këtë arsye ata sot janë larg kreut në Angli dhe veç në Europa League që është një gajle e panevojshme. Shto kësaj edhe lëndimet që kanë dhe rotacionet e shumta që është i detyruar të bëj çdo ndeshje Pocchetinno. 11shja e parë e Tottenhamit është e denjë për titull kampioni. Por, nuk mund të durojnë mbi 60 ndeshje në vit.
Rotacionet kanë mbytur edhe Unitedin këtë vit. Së pari Mourinho është dashur të gjej vend për Pogban, i cili vetëm sulmues qendror dhe mbrojtës që nuk ka luajtur. Pastaj është dashur të aktivizoj dy ‘talentet’ e LVG-së, të cilët kontributin e kanë pothuajse të barabartë me Viktor Anicheben e mbesin larg Jermaine Defoes.
Të gjithë kanë pasur rastin të tregojnë veten. Zgjidhja është aty, por Mourinho duket se kërkon diçka tjetër, larg kësaj! Për këtë arsye edhe është një sezon jo i kënaqshëm për të tjerët, por hiq më lart a më poshtë se që kam pritur nga United këtë sezon.
4.Benfica – Sporting (e diel, ora 7)
Eliminimi i Sportingut është lajm i mirë për ligën portugeze. Janë larg viteve të lavdisë së dekadës së kaluar, por akoma kanë ekipe cilësore. Klasikja e Lisbonës është në mesin e atyre ndeshjeve që nuk pyet as formë, as emra lojtarësh, as kushte atmosferike. Thjesht, luan historia dhe ngjyrat e këtyre ekipeve.
5.PSG – Nice (e diel, ora 15n9)
Me Europa League jashtë kalendarit dhe me janarin afër, Nice mund të vendos të bëj shtytje serioze drejt titullit. Shumëçka do të varet se çfarë shet Monaco dhe çfarë blen PSG në janar. Ekipit të më meritorit për këtë sukses, Lucien Favres, i kthehet Balotelli, ndikimi i të cili është i qartë ndaj ekipeve me zë si PSG. Plea, Koziello, e Cyprien tashmë janë aty, bashkë me Belhandan.
Ndërkohë mungesa e Verratti, Pastores, e Rabiot do të ishte problem tek skuadra e Emeryt sikur ky të mos fuste Thiago Mottan e mbivlerësuar pothuajse çdo ndeshje.
6.River Plate – Boca Juniors (e diel, ora 9)
Liga e Argjentinës është e komplikuar. Së pari kanë ndryshuar formatin e ligës – 30 ekipe me nga një ndeshje; pastaj kanë ndryshuar kohën e zhvillimit të kampionatit duke kaluar në formatin evropian vjeshtë-pranverë; dhe akoma nuk janë rehatuar. Gjithçka ka nisur me vendimin e qeverisë që ndeshjet të transmetohen falas për të gjithë argjentinasit. Kjo nuk pritet të zgjat shumë pas një oferte jo pak joshëse nga televizionet me parapagim.
Asnjëra nga këto ekipet nuk është në formën më të mirë këtë sezon. Por, kanë talente dhe veteranë – D’Alessandro, Tevez, Gago. Sidoqoftë, kudo që të jenë në renditje me çfarëdo lojtarësh në ekip, superclasico është më shumë se një përballje në fushë ndërmjet 22 vetave.
7.Roma – AC Milan (e hënë, ora 9)
Ka shumë mundësi që Milanin ta ketë blerë Godoja. Janë duke pritur blerësit, por jo që nuk po vijnë, por as nuk po dinë kë po presim. Pos blerësit, edhe paratë po vonohen. Tani edhe katër muaj. Krejt këto ndryshime zor që do të kalojnë edhe pa lënë njolla në fushë.
Montella ka bërë punë të çuditshme. Po ia del me një ekip që në letër është larg Top5, të luftoj për pozitën e dytë. Lëndimet dhe lodhja ka nisur ta bëj të veten dhe me afatin e janarit pa shumë para, shpresat për një sezon të suksesshëm të Milanit duken inekzistente.
Në anën tjetër Roma ka gjetur formën kundër Lazios. Janë shëndosh e mirë (shumica) dhe kur janë të gjithë aty, Spalletti nuk e ka fort zor të nxjerr më të mirën nga ta.