KOMUNIKATË E TREPÇËS'89
89’shi reagon
29 November, 2015 @20:35
Trepça’89 ka lëshuar një komunikatë për media pas ndeshjes ndaj Prishtinës sot. Klubi në fjalë ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme dhe duke falenderuar për mikpritje të Prishtinës ka thënë se gjithçka deri në minutën e 75-të të ndeshjes ka shkuar fer dhe korrekt.
“Gjithçka ishte fer dhe korrekte deri në minutën e 75-të të ndeshjes kur gjyqtari Besfort Kosumi jep penallti për ekipin tonë pasi që një lojtar i Prishtinës luajti me dorë në zonë,” shkruan në komunikatën për media të ekipit mitrovicas.
“Pas këtij vendimi gjyqtari kryesor sulmohet nga të gjithë futbollistët e Prishtinës, por ai nuk ndëshkon asnjë me karton të kuq, sepse aty kishte edhe goditje ndaj referit,” vazhdon kominukata.
“Skena kryesore ndodh në minutën e 87-të të ndeshjes kur gjatë rezultatit 2-2 sulmohet asistenti i dytë i ndeshjes, Jakup Musolli, nga një grup tifozësh, që falë intervenimit të policisë shpëton pa pasoja, kur edhe ndërprehet loja,” bën të qartë ekipi mitrovicas.
Kosumi ndërpren ndeshjen për disa minuta dhe konsulohet me asistentin e tij.
“Pas presioneve, kërcënimeve, fyerjeve të futbollistëve dhe disa personave zyrtar vjen vendimi i çuditshëm i Kosumit që në vend se të përfundojë ndeshjen kërkon zbrazjen e tribunës Lindore. Edhe pas përpjekjes së policisë së Kosovës për zbrazje, tifozët nuk largohen. Kosumi merr guxim për të vazhduar ndeshjen.
Gabimi i tretë i Kosumit ndodh kur pas minutës 90-të vazhdon ndeshjen 6 minuta pa arsye, ndërsa pas golit të Prishtinës ai e përfundon menjëherë atë.”
Në fund, Trepça’89 kërkon nga FFK që të analizojë gjithë materialin para se të marrë vendimin përfundimtar për këtë ndeshje.
“Mbetemi me shpresë që organet e Komisionit të Regjistrimit të ndeshjeve ta analizojnë gjithë materialin si dhe nga mediat televizive për të marrë vendim sipas Propozicioneve të Garave,” ka përfunduar komunikata.