LUANI (B)ANALIZON
Adieu Arsene!
Shkruan: Luan MORINA
11 March, 2016 @10:17
Nagoya
Një ndër ekipet e para që mbaj në mend nga Japonia ka qenë Nagoya. Jo që kemi pasur ndonjë kanal që ka transmetuar ligën e Japonisë atë botë, porse në shtypin e atëhershëm kjo skuadër ka mbërthyer në vete kapitenin e Jugosllavisë së tretë, i cili gati dy dekada më pas ka arritur atë që nuk kishte arritur mësuesi i tij.
Vendosja e Wengerit në krye të Arsenalit para Cruyff thuhet se ka ngritur shumë vetulla duke bërë pyetjet si ‘Arsene Who?’. Sigurisht se ka qenë një vendim i çuditshëm të marrësh një trajner para një lojtari ndër më të mirët në histori të njerëzimit. Ama tash, dy dekada pas po duket të ketë qenë ndër vendimet më të mençura të Arsenalit.
Highbury
Si për ironi, sukseset kryesore të Wenger kanë ardhur gjatë kohës sa ishte në Highbury. Nuk janë shumë, por ajo çfarë ka bërë me Arsenalin është më shumë se që shkruhet në letër. Kanë qenë një gjeneratë e artë, kryesisht franceze, që kanë luajtur njërin nga futbollin më të mirë në dy dekadat e kaluara. Titulli në Premier League mungon tashmë 12 vite, ama suksesi ka qenë konstant.
Të jesh gjithmonë në pozitat e para, të kalosh vazhdimisht fazën e grupeve në Ligën e Kampionëve, dhe të mos dorëzohesh qysh në vjeshtë në garat e kupës e ligës së kupës, nuk është lehtë. Vetëm shikoni ekipet tjera të Premier League. Vazhdueshmëria e sukseseve të mira, por mungesa e titujve nuk kënaq shikuesit dhe revolta është normale. Shumë fansa të Arsenalit me të drejtë kërkojnë largimin e Wengerit. Por, para se të kërkojnë diçka të tillë janë dy-tri gjëra që do të duhej të dinin…
Doc Brown
Qysh nuk kam mbajtur në mend Manchester pa Sir Alexin, ngjashëm nuk mbaj në mend Arsenal pa Wengerin. Jo pa arsye kam qenë skeptik për të ardhmen e United pas Sir Alexit. United akoma nuk po arrin të gjej veten. Një trajektore do të hidhja edhe tek Milani pas Ancelottit. Mendoja se faji ishte tek trajneri për ekipin e plakur, por problemi qëndronte dikund tjetër. Në krahasim me Ancelottin, Wenger është më i zoti në ndërrimin e gjeneratave.
Një obsesion palidhje i Wengerit është bërë krijimi i talenteve. Wenger ka pasur një gjeneratë të shkëlqyeshme të krijuar nga themelet (ka pasur ndihmën e Adams dhe shoqërisë edhe atëherë), dhe ka arritur të shtoj talente për të krijuar një bazë të mirë, por të cilën e morën ekipet që funksionin më shumë si ekip se si biznes – diçka që është Arsenali.
Wenger akoma tenton të bëj talente dhe të fitoj tituj me talente. Sot, në këtë situatë, titulli nuk po fitohet me talente. Arsenalit i nevojitet përvojë, i nevojiten tre-katër lojtarë si Cech në fushë, liderë. Nuk mund vazhdimisht të prodhosh talente, një ekip të plotë nga akademia. Nuk fitohet titulli me Nachon, Cazorlan, e Artetan.
Gjithashtu, së fundmi me implikimin e amerikanëve në futboll, të njohur për përdorimin e statistikave që nga ‘Moneyball’ i Beane, të tjerët kanë nisur të shfrytëzojnë armën sekrete të Wengerit që mblidhte lojtarët më të talentuar me anë të shifrave – rasti Flamini që tashti është kthyer në një ‘kancer’ për fansat e Arsenalit.
Me lojtarë si Giroud, me liderë si Ramsey, me talente si Wilshere që më mirë i njeh infermieret e spitalit se bashkë-lojtarët nuk mund të ketë tituj të Premier League e sukses në Ligën e Kampionëve.
Doc Brown tek ‘Back to the Future’ dëshiron të udhëtoj në të ardhmen. S’do të dëshiroja tu prishja një trilogji të mrekullueshme të filmave. Shikojeni se ia vlen. E ata që e kanë parë e din boll mirë ndërlidhjen e Wengerit me Doc Brown.
Edhe Wenger do të kuptoj botën si Doc Brown një ditë. Por, mund të jetë vonë.
Vieira
Shumë fansa të Arsenalit dëshirojnë Vieiran ose Henryn si trajner. Por, ngjashëm si me lojtarë, tituj Arsenalit i sjellin trajnerët me përvojë, jo fillestarët. Nëse duan tituj, ju nevojitet trajnerë me përvojë, e të tillë të denjë për Arsenalin nuk duket se ka për momentin.
Ndoshta një anonim si Wengeri para 20 viteve mund t’u kryej punë, edhe pse mendoj se suksesi i menjëhershëm është larg. Sidomos nëse nuk ndryshon politika e transferimeve. Si një fans i futbollit anglez para çdo ekipi që luan atë, mendoj që një ndryshim në strategjinë e zhvillimit të ekipit dhe transferimeve do të ishte më i mirë se ndryshimi i trajnerit. Edhe Wengeri do të shkoj një ditë, ama besoj që ajo ditë nuk është afër.
Ndoshta Arsenali do të gjej trajner më të mirë, ndoshta do të mbetet Wenger e do të fitoj tituj. E ardhmja është hipotetike dhe e panjohur. Gjithçka mund të ndodh. Por, kudo që është Wenger në shtator, ai për mua do të mbetet njëri nga teknikët më të mirë që ka njohur bota e futbollit.