KOMBËTARJA SHQIPTARE
Agolli: Futbolli luhet për tifozët
17 November, 2016 @12:35
Pas lajmit që ‘Tifozat Kuq e Zi’ nuk do të jenë të pranishëm në ndeshjet e ardhshme të Kombëtares në shtëpi dhe reagimit të FSHF-së me letër zytare drejtuar tyre, përmes një postimi në Facebook ka reaguar Ansi Agolli, kapiteni i Kombëtares Shqiptare.
Në llogarinë e tij personale kapiteni ka shkruar:
“Zakonisht jam i heshtur pas lojëve të kombëtares, sidomos pas humbjeve, pasi mendoj se duhet të ketë reflektim. Sigurisht që asnjë nga ne në fushë, stafi e shikuesit nuk janë të kënaqur me rezultatin e ndeshjes së fundit. Jemi të vetëdijshëm që ka nevojë për punë, nga të gjithë ne, dhe jam i sigurt që do të punojmë që të sjellim paraqitje me te mira në ndeshjet e radhës. Por sikur të mos mjaftonte, situata jashtë fushës së lojës, trajtimi i tifozëve tanë, ka lënë një shije të hidhur për ne si lojtarë.
Në ndeshjen e fundit, u morën masa ekstreme sigurie, e u krijua një tension i tepruar, të cilët e vështirësuan jetën dhe lojën për të gjithë ne. Duket i pakuptimtë trajtimi i ashpër i tifozëve tanë. Ata janë vërtet të mrekullueshëm, siç kanë treguar në të gjitha ndeshjet e kombëtares, me mbeshtetje të zjarrtë dhe korrekte me kundershtarët. Po ashtu, në Evropian, ku alarmet e sigurisë ishin shumë më të lartë, ata u vlerësuan nga të gjitha mediat e huaja si shembull për masivitetin e sjelljen.
I falenderojmë sinqerisht forcat e rendit që kujdesen gjithnjë për sigurinë tonë dhe të tifozëve. Por kujtoj, se kjo siguri nuk mund të bëhet në shkelje të të drejtave themelore të njeriut. Lëvizja e lirë është një prej tyre dhe ndalimi në kufi i tifozëve shqiptarë nga FYROM, është një rast i paprecedent. Asnjë masë sigurie nuk mund ta justifikojë këtë veprim.Urojmë që të mos përsëritet më! Thënë kjo, uroj edhe që tifozët të kthehen në stadium!
Fundja për ata luajmë futboll!!!”