TREPÇA '89 - FERONIKELI
Pa fitues në ndeshjen e javës
16 November, 2016 @15:13
Pa fitues u mbyll ndeshja kryesore e xhiros së XIV të Superligës së Kosovës në futboll.
Trepça ‘89, kryesuesja aktuale e Superligës, luajti pa gola ndaj kampionit në fuqi, Feronikelit, në një takim ku rastet për shënim nuk munguan për të dyja skuadrat, mirëpo në fund skuadrat u detyruan të kënaqen me nga një pikë. Duhet përmendur që ky ishte barazimi i tretë radhazi për skuadrën mitrovicase.
Kjo ishte përballja e dytë e këtyre skuadrave mes vete këtë sezon. Ndeshja e parë ishte fituar nga Feronikeli me rezultat 4-1 dhe kjo është humbja e vetme e ‘89shit deri më tani këtë sezon.
Rasti më i mirë i ndeshjes erdhi në pjesën e dytë, kur i inkuadruari nga banka rezervë, Mattew Boniface, ishte pranë shënimit të golit të fitores për vendasit, mirëpo ai nuk goditi vetë por pasoi tek bashkëlojtari Oto John, i cili nuk e gjeti golin.
TABELA AKTUALE SUPERLIGA
Me një fitore të mundshme sot, Feronikeli do të kalonte në pozitën e dytë me pikë të barabarta me Prishtinën, ndërsa pas këtij barazimi mbetet dy pikë larg Prishtinës. Në anën tjetër, ‘89shi edhe më tutje mbetet lider.