KOMBËTARJA SHQIPTARE
FSHF me letër drejtuar TKZ-së
Teksti: FSHF
16 November, 2016 @17:54
Pas vendimit që morri ditë më parë grupi i tifozëve ‘Tifozat Kuq e Zi’, FSHF-ja është kundërpërgjigjur me letër të hapur. Letra e plotë është paraqitur më poshtë:
“Deklarata e fundit, e grupimit të tifozëve kuqezi për bojkotimin e ndeshjeve të kombëtares shqiptare, është përcjellë me vëmendje dhe seriozitet, nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit. Duke e konsideruar grupimin TKZ dhe në përgjithësi të gjithë tifozët shqiptarë, si një faktor shumë të rëndësishëm në mbështetjen që i ka bërë skuadrës kombëtare, ne e shikojmë me shumë shqetësim, vendimin e tyre. Kjo sepse mungesa e tifozerisë në stadium, përbën për ne dhe skuadrën mungesën e një aleati të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm. Të luash pa “lojtarin e 12”, do të thotë që të hysh në fushën e lojës me një lojtar mangut.
Federata i bën thirrje grupimit TKZ, që të ndryshojë qëndrimin që ka në lidhje me këtë vendim. Me një gjykim më gjakfohtë dhe dashamirës, duhet të rikthehen në stadium, në vendin që i takon. Duke i lënë mënjanë mëritë dhe qejfmbetjet. Duke kapërcyer mbi to. Duke u bërë të gjithë, më të gjerë. Dhe duke menduar për qëllimin tonë të madh: Të jemi një suport i rëndësishëm për skuadrën tonë të dashur, e cila na ka bërë shpesh të lumtur dhe krenarë me paraqitjet e saj.
Kjo ndeshje kishte specifikat e saj nga pikëpamja organizative. Për hir të ndryshimit të qytetit dhe stadiumit ku do të zhvillohej ndeshja, u desh të kryenim, një punë kolosale, në kushte realisht të vështira. Konvertimi në një kohë rekord, i biletave të programuara për në stadiumin e Shkodrës, ishte një aksion që vështirë se një organizëm tjetër, mund ta realizonte. Në kushtet e krijuara, edhe ne ndeshëm shumë vështirësi, për të realizuar organizimin e një ndeshjeje model, sipas standarteve të UEFA-s.
Tifozët, gjithashtu sakrifikuan jashtëzakonisht. Ata ndryshuan axhendën, planet e tyre dhe programet që kishin përgatitur. Dhe sigurisht, kjo kishte kosto si fizike ashtu edhe financiare për ta. Për fat të keq, kjo sakrificë që tifozeria bëri, nuk u shpërblye. Ata, kanë dhënë gjithçka për skuadrën kombëtare gjatë kësaj periudhe dhe për këtë meritonin një trajtim më qytetar, brenda kufijve ligjorë. Ne besojmë se këto kanë qenë edhe udhëzimet e drejtuesve të policisë së shtetit por në terren gjërat janë deformuar dhe për këtë ndjejmë keqardhje.
Pavarësisht kësaj, Federata kërkon më shumë mirëkuptim dhe bashkëpunim me grupet e tifozerive. Vetëm mirëkuptimi e bashkëpunimi, do të përmirësojë komoditetin tuaj në stadium. Ne do të bëjmë maksimumin, për të qenë një interlokutor i rëndësishëm, midis të gjitha palëve, për të patur një mbarëvajtje sa më të mirë të punëve, në të ardhmen.
E përsërisim mbështetja e tifozëve, është shumë e rëndësishme, për ekipin kombëtar dhe futbollin shqiptar. Për këtë arsye ju duam të gjithëve. Të jeni në stadium, për të mbështetur kombëtaren. Siç ka ndodhur, në mënyrë spektakolare deri më tani.”