AHMED JANUZI
Ahmed Januzi: Po përmirësojmë gabimet e 2016
9 February, 2017 @12:28
Sulmuesi i Prishtinës, Ahmed Januzi, që erdhi nga elita e futbollit ukrainas në ekipin bardhekaltër, ka thënë se përgatitjet e ekipit në Antalja po shkojnë shumë më mirë se ato të fillimit të edicionit 2016/17.
Në të njejtën kohë, Januzi 28 vjeç, ka thënë se ndjehet shumë më mirë pas lëndimeve që e munduan në vitin e kaluar, pasi që kishte ardhur në Prishtinë me thyerje të këmbës, lëndim që e bartte nga koha kur ishte në Ukrainë.
“Kampionati po afron, kurse ne normalisht që jemi duke punuar për t’i përmirësuar gabimet që kemi bërë në vitin 2016, ato gabime që na kanë kushtuar edhe me pikë. Pra, unë po shoh se kemi punuar shumë më mirë fizikisht e taktikisht se sa para fillimit të edicionit në verë. Por, po ashtu, çdo njëri nga ne duhet jep maksimumin që të japim secili më të mirën nga vetja, të jemi më efektiv, në çdo fazë, në çdo pozicion” - ka thënë ish sulmuesi i kombëtares U21 të Shqipërisë.
Januzi në vjeshtë shënoi 2 gola për Prishtinën në Superligë. Ndërkaq Prishtina ka përfunduar stinorin në vend të tretë të Superligës, me 35 pikë nga 17 ndeshje të zhvilluara, 4 më pak se lideri Trepça’89. Prishtina është fituese aktuale e Kupës së Kosovës dhe Superkupës.