KUQEZI I RADHËS
Alijin e bindën bashkëlojtarët
23 December, 2014 @14:44
Naser Aliji është futbollisti i radhës që refuzoi kombëtaren zvicerane për atë shqiptare.
Pasi që u bë i ditur lajmi për vendimin e tij, mbrojtësi 20 vjeçar i Baselit duke folur me Kohën Ditore, ka bërë të ditur se vendimit të tij i kanë kontribuuar edhe bashkëlojtarët shqiptar te Baseli - Arlind Ajeti, Taulant Xhaka dhe Shkelzen Gashi.
Treshja e fundit tashmë është pjesë e kuqezinjëve dhe ka zhvilluar së paku një ndeshje me kombëtaren e udhëhequr nga Gianni De Biasi, që është treguar ideal drejt përafrimit të gurbetçinjëve në drejtim të ekipit kombëtar.
Ai ka pohuar se ka pasur interesim nga Zvicra dhe Maqedonia që ai të mbrojë ngjyrat e këtyre vendeve, por edhe në konsultim me familjen, ka vendosur për Shqipërinë.
Aliji është i lindur në Kumanovë të Maqedonisë dhe bëhet shqiptari i parë nga ky vend që pranon ftesën e kuqezinjëve, derisa kontributi i futbollistëve me origjinë kosovare ka kaluar numrin 40 në Shqipëri në të gjitha grupmoshat.