FERONIKELI 2-2 DRENICA
Almedin Murati i siguron pikë Drenicës ndaj Niklit
26 September, 2020 @18:03
Almedin Murati ka qenë në formë sot, për t’i siguruar ekipit të tij pikë në përballjen si mysafir ndaj Feronkelit në Rexhep Rexhepi.
Feronikeli edhe pse në disavantazh në pjesë të parë, ka qenë i furishëm në pjesë të dytë duke përmbysur rezultatin, por 10 minuta para fundit të ndeshjes Murati ka barazuar për përfundimtaren 2-2 [Albert Dabiqaj 58, Marko Milickovic 72 - Almedin Murati 26, 80].
Ekipi i drejtuar nga Fadil Rama, Drenica, ka pasur dy gjysmëraste para se të merrte epërsinë në pjesë të parë të ndeshjes, ndërsa ajo që vlen të përmendet nga ekipi i Afrim Tovërlanit në 45 minutat e para të ndeshjes ka qenë tentimi i këmbëshpejtit Mendurim Hoti, që rastin e tij e pa të mbrojtur nga porteri drenicak Arion Ymeri.
Në pjesë të dytë Nikli u hodh tërësisht në sulm për të fituar. Dhe ishte shumë afër të arrinte këtë. Së pari me asistim të Hotit, Albert Dabiqaj shënoi për barazim me kokë, ndërsa me asistimin e Bedri Grecës ka shënuar Marko Milickovic për epërsinë 2-1 (72’).
Por ndeshja këtu nuk përfundoi, pasi që Drenica nuk u dorëzua përkundër përmbysjes së rezultatit dhe me golin e Muratit në formë dhjetë minuta para fundit, siguroi një pikë nga takimi i vështirë.
Pas kësaj ndeshjeje të dyja skuadrat kanë bilanc të njëjtë në tabelë më nga një fitore, një barazim dhe një humbje, me nga 4 pikë, por Feronikeli është më lartë për shkak të golaverazhit.