Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

TALENTI I SCHALKE 04

Arbnor Aliu, “Po” e radhës për Kosovën

Arbnor Aliu, “Po” e radhës për Kosovën


Tekst & Foto: FFK

29 April, 2022 @1:41

Një tjetër talent i madh i futbollit që jeton dhe bën karrierë të suksesshme në Gjermani ka vendosur të luajë për Kosovën. Bëhet fjalë për 19-vjeçarin Arbnor Aliu, i cili aktualisht luan me ekipin e U19 të Schalke 04.

Ai luan si qendërmbrojtës dhe është ndër shpresat e mëdha të klubit gjerman, me të cilin ka kontratë deri në qershor të vitit 2024. Talenti dhe përvoja e tij si lider janë të padiskutueshme, ngase që nga mosha e tij e hershme ishte pjesë e të gjitha ekipeve zinxhir të Kombëtares së Gjermanisë, madje edhe në rolin e kapitenit.

Arbnori do të përfshihet fillimisht te Kombëtarja U21, por duke pasur parasysh potencialin dhe cilësitë që zotëron, atëherë pa dyshim se në të ardhmen e afërt pritet të jetë edhe në shërbim të Kombëtares A.

Ai është shprehur i lumtur që do të luajë për Kosovën dhe beson se do të japë më të mirën e tij.

“E kam zgjedhur Kosovën me zemër sepse prindërit vijnë nga Kosova dhe e di që me paraqitjen time në fanellën e Kosovës do ta bëj krenar familjen dhe veten time. Ndihem shumë i lumtur që do të jem pjesë e Dardanëve sepse kam punuar shumë për ta merituar këtë fanellë. Normalisht se nuk ka qenë e lehtë të tërhiqem nga përfaqësimi i Gjermanisë sepse krejt çfarë kam arritur deri më tash është falë Gjermanisë, por në këtë aspekt e kam dëgjuar ndjenjën dhe zemrën time”, ka theksuar Aliu.

Ai në fund ka dhënë edhe një mesazh për tifozët Dardanët.

“Pres me padurim të paraqitem në fanellën e Kosovës dhe t’i dëgjoj brohoritjet e tyre. U premtoj se do të jap maksimumin tim për të arritur sa më shumë suksese dhe për t’i bërë të gjithë krenarë”.


 
Të gjitha lajmet nga Kosova