Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

REAGIMI I FEDERATËS

Reagimi i FFK-së, do t’i drejtohet CAS-it

Fotot: FFK

Reagimi i FFK-së, do t’i drejtohet CAS-it


13 September, 2023 @19:44

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka reaguar ashpër ndaj ngjarjeve të pahijshme të ndodhura në ndeshjen e 12 shtatorit në Bukuresht të Rumanisë, ndërsa ka bërë të ditur gjithashtu se do t’i drejtohet UEFA-së dhe CAS-it me një padi për të gjitha shkeljet që janë bërë në “Arena Nationala” të kryeqytetit rumun.

FFK logo

Mëposhtë, reagimi i plotë i FFK-së:

“Federata e Futbollit të Kosovës dënon ashpër incidentin e rëndë të shkaktuar nga tifozët e kombëtares së Rumanisë, gjatë ndeshjes kualifikuese për Euro 2024, Rumani-Kosovë, në “Arena Nationala” në Bukuresht.
Tifozët e kombëtares së futbollit të Rumanisë, përmes gjuhës së urrejtjes e dëmtimit të imazhit të vetë kombëtares përmes shprehjeve të tilla dhe sjelljeve jo sportive kanë denigruar ndeshjen e mbrëmshme të futbollit.

Për këtë gjë, Federata e Futbollit të Kosovës ka reaguar menjëherë aty për aty, duke kërkuar suspendim të lojës deri në tërheqjen e pankartave dhe slloganeve të urrejtjes gjatë ndeshjes. Kjo kërkesë e FFK-së është miratuar nga delegati i ndeshjes dhe derisa janë tërhequr të gjitha pankartat dhe janë ndalur të gjitha thirrjet urrejtëse kundër Kosovës nuk ka rifilluar ndeshja.

Pas incidentit të këtillë, është kërkuar nga delegati i UEFA-s të evidentohen të gjitha shkeljet që kanë rezultuar me vërejtje ndaj Federatës së Futbollit të Rumanisë dhe është kërkuar që të gjitha shkeljet të procesohen te organet përkatëse të UEFA-s.

Federata e Futbolli e Kosovës po ashtu iu ka drejtuar Komisionit Disiplinor të UEFA-s me kërkesën që të merren masat adekuate në raport me brohoritjet nacionaliste, pankartat dhe gjuhën e urrejtjes të shprehur nga tifozët e kombëtares së Rumanisë.

Incidentet e këtilla nuk duhet përsëritur. Futbolli vetëm ndërton ura ndërmjet nesh, nuk duhet shembur ato.
Falënderojmë edhe një herë të gjithë ata që kanë dënuar incidentin e djeshëm dhe mbështetjen ndaj futbollit.

Përkundër kësaj FFK ka diskutuar dhe ka mbledhur deklarata dhe materiale të incizuara e të fotografuara, të cilat e plotësojnë dosjen e ankesës për dënim të kësaj ngjarje, me kërkesë për rishikimin e të gjitha ndodhive nga kontrollorët, specialistët dhe nga sektori i referimit për vendimet e padrejta.

Presidenti Ademi ka telefonuar organet kompetente për këtë rast dhe ka kërkuar të merren masa, duke përmendur edhe rastin e ndeshjes me Zvicrën për mosdhënien e penalltisë, e po ashtu edhe rastin e penalltisë së mundshme me Rumaninë e mosdhënien e kartonit të kuq në rastin e ndërhyrjes ndaj Rrahmanit.

Në këtë drejtim, FFK në kuadër të procedurave ligjore, për të gjitha shkeljet që janë bërë, do të përgatisë edhe komentet e nevojshme dhe do ta dorëzojë padinë në UEFA, si dhe në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS).”

FFK


 
Të gjitha lajmet nga Kualifikimet për Evropian