PREMTUES
Arlind Shabani te Prishtina
31 July, 2021 @15:53
Njëri ndër lojtarët premtues të Kosovës, që në stinorin e kaluar ka luajtur te Struga Trim Lum në Maqedoninë Veriore dhe ka siguruar për herë të parë daljen në Evropë me ekipin nga bregu i Drinit të Zi, Arlind Shabani, pritet që shumë shpejt të zyrtarizohet si lojtar i ri i Prishtinës.
Njoftimi është bërë nga ish-trajneri i tij dhe menaxheri që ka bërë të ditur se Shabani, tash 19-vjeç do të jetë pjesë e kampionit aktual të Kosovës.
Shabani është mesfushor qendror kreativ, ndërsa ecuria e tij premtuese pritet të zhvillohet edhe më përgjatë stinorit 2021/22 pasi që tashmë Superliga e Kosovës duket të jetë shumë më cilësore sesa 3 sezone më parë.
Përgjatë karrierës së tij Shabani ka luajtur te KEK-u, pastaj te Trepça’89 dhe te Ramiz Sadiku në Prishtinë. Ndërsa vlera e tij e paraparë nga Transfermarkt thuhet të jetë rreth 100 mijë euro.