SOUTHAMPTON - SPURS

Armando Broja 20 minuta, Southamptoni ndalë Tottenhamin
28 December, 2021 @17:56
Ndonëse me një lojtar më tepër në fushë për shumicën e kohës, Tottenhami nuk arriti sot me shumë se një barazim në udhëtim te Southamptoni. Borozani.com
Një gol i bukur i Ward-Prowse (25’) i kaloi vendasit në epërsi 1-0, e më pas Harry Kane barazoi nga pika e bardhë (41’) për 1-1, rezultat me të cilin u mbyll ndeshja. Në momentin e penalltisë së Tottenhamit, Salisu i vendasve e mori kartonin e dytë të verdhë, me ç‘rast u përjashtua nga loja dhe Southamptoni mbeti me 10 lojtarë për pjesën e mbetur të ndeshjes.
Gjithsesi, vendasit u mbajtën mirë dhe nuk e lejuan pësimin e golit të dytë dhe kështu ndeshja u mbyll me barazim 1-1.
Sulmuesi shqiptar, Armando Broja, u inkuadrua në lojë në minutën e 71’ të ndeshjes dhe në momentet e fundit pati një mundësi të mirë shënimi, por që gjuajtja e tij u bllokua nga mbrojtja vendase.
Kështu, Tottenhami bën një hap prapa në luftën për top4, por mbetet ende i pamposhtur nën drejtimin e Contes në Premier League, ndërkohë që Southamptoni momentalisht renditet i 13-ti.
Nëse flasim për statistika, italiani Conte sot u bë trajneri i parë në histori të Tottenhamit që nuk pëson humbje në 7 ndeshjet e para në ligë.