EVERTON - LIVERPOOL
As gola e as kartona në ‘Merseyside Derby’
7 April, 2018 @15:17
Në ndeshjen hapëse të javës në Premier League, Evertoni dhe Liverpooli kanë treguar paraqitje tejet të zbehta, duke mos prodhuar shumë raste për shënim dhe duke e mbyllur takimin pa gola.
Me mendjen te ndeshja e kthimit ndaj Manchester Cityt në Champions League, Liverpooli startoi me disa lojtarë kryesorë të lënë në bankën rezervë, ndërsa mund të thuhet që vendasit të rrezikshëm ishin vetëm në 15 minutat e fundit, minuta në të cilat ata shumë lehtë mund ta kishin gjetur golin e fitores.
Që ndeshja ishte ‘e zbehtë’ e dëshmon edhe fakti që sot nuk u tregua as edhe një karton i verdhë as për njërën e as për tjetrën skuadër, gjë që nuk kishte ndodhur në ‘Merseyside Derby’ që nga dhjetori i vitit 1992. Sa për kuriozitet, ndeshja mes Evertonit dhe Liverpoolit përgjatë viteve është ndeshja që ka prodhuar më së shumti kartonë të kuq nga të gjitha ndeshjet e tjera në histori të Premier Leagues.
Ky barazim bën që Liverpoolit t’i rrezikohet vendi i tretë nga Tottenhami, ndërsa Evertoni ndodhet i qetë në mesin e tabelës.