DITARI RUS (19)
Axhamillëku
Shkruan: LUAN MORINA
11 July, 2018 @12:49
Ideja për të startuar me katër mesfushorë qendror, duke shtyrë dy nga ta në krahë me qëllim që të kapin ndonjë zbritje të Pavard e Lucas të cilët edhe ashtu nuk kanë qenë armët kryesore të Deschamps, është vetëm një pjesë e axhamillëkut të Roberto Martinez.
Trajneri spanjoll assesi nuk arriti të mbulojë mungesën e Thomas Meunier. Kalimi i Chadlit në anën e djathtë të mbrojtjes duke shtyrë De Bruynen në të majtën me mesfushë pesëshe, ishte vetëm një hap tjetër i gabuar i Martinez. Pastaj kemi Dembelen dhe Witselin në mesfushë. Mesfushori i Tottenhamit ishte humbje hapësire, duke qenë më i dobëti në ekip pas Chadlit mbrëmë.
Franca ka filozofi të thjeshtë – sulmojnë me krahë duke shfrytëzuar Giroud si karrem. Mesfusha gjithmonë është e ngarkuar me detyra defensive me relativisht më pak angazhim në sulm. Me vetëm kundër-sulmin si armë, Deschamps nënçmon kualitetin e kësaj France që ka ndoshta ekipin më të mirë në botë! Një gol, dhe mbrojtje me vetëm kundërsulme është qyqarllëk i Deschamps, që kulmon me humbjen e kohës në gjysmë orën e fundit. Franca është më mirë se kaq! Lojtarët janë më të mirë se kaq!
Dhe, është mëkat që gjenerata e artë e Belgjikës, udhëhiqet nga një trajner fillestar! Thierry Henry kryen praktikën me këtë ekip!!! Merreni Zidane dhe shohim si do të shkojnë punët!
Belgjika mbrëmë ishte e pa-ide, falë Martinezit. Por, njëjtë si Low, edhe ai do të vazhdojë të jetë në krye të kombëtares. Edhe ai do të çoj në pension këtë super-ekip, me ndoshta asnjë titull të fituar. Së paku Low ka një titull, dhe së paku tre tituj të humbur!
Sonte, kroatët vijnë të lodhur! Së paku supozohet ashtu, ndonëse pushimi duhet t’i ketë këndellur! Janë të rraskapitur me dy ndeshje që i dërguan në vazhdime, dhe paramendojeni sikur të luanin ndeshjen e Islandës me ekipin e parë. E në atë ndeshje, pa pikë nevoje angazhohej Modrici, i cili pos lodhjes fizike ka pasur edhe lodhje psikike në ndeshjet vijuese!
Në anën tjetër anglezët janë të ‘fryrë’ nga fansat me atë që ‘futbolli po kthehet në shtëpi’! Nuk kanë bërë lojë aq dominuese, aq më pak lojë kampioni! Por, edhe kroatët nuk kanë qenë superior në dy ndeshjet e kaluara. As francezët pos me Argjentinën nuk kanë qenë të jashtëzakonshëm. Nuk ka pasur ekip që ka dhënë maksimumin në çdo ndeshje. Dhe pas një sezoni me 50-60 ndeshje nuk mbetet aq shumë për të dhënë në Kupën e Botës!
Sidoqoftë, duhet të jetë një ndeshje e mirë, shpresojmë me më shumë gola, dhe pa vazhdime!