Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

DRITA - BALLKANI

Ballkani bie në Gjilan, Rexha bën Dritën lidere

Ballkani bie në Gjilan, Rexha bën Dritën lidere


6 December, 2020 @15:29

Ndeshja kryesore e xhiros së XVI në Superligën e Kosovës në futboll u mbyll me fitoren e Dritës.

Skuadra gjilanase sot e mposhti 2-1 (Kastriot Rexha 30’ 44’ / Mirlind Daku 43’) Ballkanin, kundërshtarin kryesor për titull, për t’u ngjitur kështu në krye të klasifikimit.

Dy skuadrat me sulmet më efikase në ligë nuk zhgënjyen dhe dhuruan 3 gola që në pjesën e parë.

I pari në listën e realizatorëve hyri Kastriot Rexha, që ia dha kampionit epërsinë 1-0 në minutën e 30’ të ndeshjes. I shërbyer nga Blakçori, Rexha golin e parë të ndeshjes e shënoi me kokë.

TABELA AKTUALE

Barazimi i mysafirëve erdhi pas rreth 13 minutave. Ishte golashënuesi më i mirë i Superligës, Mirlind Daku, ai që i barazoi shifrat në 1-1, mirëpo gëzimi suharekas zgjati pak, me Kastriot Rexhën që shënoi për 2-1 në minutën e 44’, për t’i dërguar skuadrat në pushim me këtë rezultat.

E pjesa e dytë kaloi pa gola.

Me përvojë, kampioni në fuqi i Kosovës e menaxhoi mjaft mirë 45-minutëshin e dytë të ndeshjes, për ta mbyllur ndeshjen me fitore dhe për t’ia shkaktuar Ballkanit humbjen e dytë sezonale.

Kjo fitore bën që Drita tashmë të jetë lidere e klasifikimit me një pikë më shumë se Ballkani, ndërkohë që të dyja skuadrat kanë nga një ndeshje më pak të luajtur pas 16 xhirove.

Kujtojmë që ndeshja e parë mes këtyre dy skuadrave, e luajtur në Suharekë, ishte mbyllur 2-0 për Ballkanin.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga