Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

KLAKSVIK - BALLKANI

Ballkani fiton me penallti, arrin Play Off-in e Conference League!

Foto: FC Ballkani / Facebook

Ballkani fiton me penallti, arrin Play Off-in e Conference League!


11 August, 2022 @22:51

Pas fitores 3-2 në Prishtinë javën e kaluar, Ballkani sonte kualifikimin në Play Off të Conference League e arriti pas gjuajtjeve të penalltive, pasi takimin ndaj Klaksvik në kohën e rregullt e humbi me rezultat 2-1.

Në pjesën e parë, e cila u mbyll pa gola, Ballkani luajti mjaft mirë, duke treguar maturi në mbrojtje, ndërkohë që tentonte të rrezikonte kohë pas kohe. Rreth minutës së 40’, Ballkani e gjeti rrjetën, por goli u anulua me ndihmën e sistemit VAR për shkak të një pozicioni jashtë loje gjatë ndërtimit të akcionit.

Vendasit e filluan mjaft mirë pjesën e dytë, duke rrezikuar disa herë brenda 10 minutave të parë, gjë që solli edhe golin e epërsisë.

Gjatë sulmeve të Klaksvikut në këtë periudhë, dy goditje u pritën nga Ljuljanoviq, e një tjetër për fatin e mirë të Ballkanit përfundoi në shtyllë, por skema e minutës së 55’ ishte fatale për suharekasit. Pasimin e Frederiksberg në portë me një goditje fantastike e çoi Mikkelsen dhe kështu vendasit e morën epërsinë 1-0.

Përkundër golit të pësuar, Ballkani nuk u demoralizua dhe dalëngadalë u rikthye në lojë.

U mendua se moment kyq për suharekasit do të ishte ai i minutës së 83’, kur Ermal Krasniqi shënoi një supergol nga distanca për 1-1, por skuadra e drejtuar nga Ilir Daja nuk arriti ta ruante barazimin dhe pësoi gol 6 minuta më pas (89’). Kësaj radhe për 2-1 të vendasve shënoi Da Silva dhe falë golit të tij ndeshja shkoi në vazhdime (4-4 pas dy ndeshjeve në kohën e rregullt).

E fitues nuk pati as pas dy vazhdimeve nga 30 minuta, me ç‘rast fituesi u detyrua të përcaktohej pas goditjes së penalltive, ku më i suksesshëm u tregua Ballkani.

Dy pritje të Ljuljanoviq gjatë gjuajtjeve të penalltive si dhe saktësia në gjuajtje nga Armend Thaqi, Lumbardh Dellova, Nazmi Gripshi dhe Lindon Emërllahu bënë që Ballkani ta fitonte ndeshjen dhe rrjedhimisht të kualifikohet në Play Off të Conference League, një arritje fantastike! I vetmi që dështoi nga penalltia për Ballkanin sonte ishte Qëndrim Zyba.

Në Play Off të Conference League, që është një hap para fazës grupore, Ballkani do të përballet me Shkupin. Pas udhëtimit të gjatë drejt Ishujve Faroe, në rrethin tjetër Ballkanin e pret një udhëtim pak më i shkurtër. Çfarëdo që ndodhë në Play Off, një skuadër shqiptare do ta kemi në fazën e grupeve të Conference League.

Përndryshe, kjo është hera e parë që një skuadër kosovare arrin deri në Play Off të një gare ndërkombëtare!


 
Të gjitha lajmet nga Conference League