ULPIANA - BALLKANI

Foto: FC Ballkani / FB
Barazim ndaj Ulpianës, Ballkani ndalet pas 5 fitoreve*
23 April, 2022 @15:59
Pas 5 fitoreve radhazi në Superligë, Ballkani i Ilir Dajës është ndalur sot në udhëtim te Ulpiana.
Ky takim në fund u mbyll 1-1 (Egzon Qerimi 20’ / Meriton Korenica 45+3’).
Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 20’, kur Egzon Qerimi i Ulpianës nga gjuajtja e lirë shënoi për 1-0. Ky rezultat nuk u prek deri në minutën e 45+3’, kur Meriton Korenica shënoi për 1-1 pas asistimit nga Ermal Krasniqi, dhe kështu pjesa e parë u mbyll me barazim.
Dy minuta para golit të shënuar, Ballkani e shpërdoroi një penallti, kur goditja e Ermal Krasniqit nga pika e bardhë u prit nga Drilon Ajeti, portieri i Ulpianës. Ky i fundit sot zhvilloi një paraqitje mjaft të mirë.
Më pas, pjesa e dytë e ndeshjes nuk prodhoi më asnjë gol dhe pikët mes skuadrave u ndanë.
Barazimi në fjalë mund të jetë shumë i vlefshëm për Ulpianën në luftën për mbijetesë, kurse Ballkani me dy pikët e lëshuara sot iu jep mundësi Dritës e Gjilanit t’i afrohen paksa në garën për titullin kampion.
- - -