1/2: LLAPI - PRISHTINA
Barazim në ndeshjen kthyese, Llapi në finale të Kupës!
21 April, 2021 @16:53
Llapi është finalisti i dytë i Kupës së Kosovës për këtë sezon!
Pas fitores 2-3 në Prishtinë dy javë më parë, sot Llapit të Tahir Batatinës i mjaftoi një barazim 2-2 (Ahmed Januzi 16’, Muhamed Hyseni 89’ / Enis Gavazaj (P) 6’, Mërgim Pefqeli 63’) në Podujevë, për ta arritur kështu finalen e Kupës.
Penalltinë e fituar nga Alban Shillova, Enis Gavazaj i Prishtinës e shndërroi në gol në minutën e 6’ të përballjes, për t’ia dhënë mysafirëve një nismë të mirë të ndeshjes.
Mirëpo, podujevasit reaguan shpejt, duke shënuar përmes ish-sulmuesit të Prishtinës, Ahmed Januzit, në minutën e 16’ për 1-1, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.
Në pjesën e dytë, të parët që shënuan ishin përsëri kryeqytetasit. Si në ndeshjen e parë gjysmëfinale, edhe sot rrjetën për Prishtinën e gjeti Mërgim Pefqeli, që shënoi për 1-2 në minutën e 63’. Megjithatë, goli i tretë që do ta dërgonte Prishtinën në finale nuk erdhi, madje ishte skuadra e Llapit ajo që shënoi për 2-2 përmes Muhamed Hysenit, për ta mbyllur kështu ndeshjen me barazim, që e çoi Llapin në finale.
Në finalen e Kupës, Llapi do të përballet me Dukagjinin nga Klina, e fituesi nga ai duel do ta përfaqësojë Kosovën në garat evropiane (fazat fillestare kualifikuese të Europa League) sezonin që vjen. Në rast të suksesit të Llapit në finalen e Kupës, thënia e famshme dhe e kahmotshme “Llapi evropian”, e thënë nga Tahir Batatina vite më parë, më në fund do të ishte kuptimplotë.