SHQIPËRIA-ZVICRA

Lamtumirë, Brazil!
11 October, 2013 @21:07
Qemal Stafa ishte skuqur sonte. Mijëra tifozë me fanellat kuq e zi ishin mbledhur nga e gjithë shqiptaria për të parë yjet e kombëtares në ndeshje ndaj Zvicrës.
Zviceranët patën posedimin dhe rastet në pjesën e parë, derisa Shqipërinë në dy raste e shpëtoi fati për të mos pranuar gol. Të dyja rastet erdhën nga asistimet e mrekullueshme të Xherdan Shaqirit, i cili herën e parë gjeti Valentin Stockerin që goditi shtyllën e djathtë të portierit Etrit Berisha, derisa në të dytën pasoi për Granit Xhakën që u ngatërrua për të mos arritur të kalojë Lorik Canën, për të mbetur i vetëm para portës kuqezi.
Shqipëria dukej shterpe dhe nuk kishte lojë, përpos disa depërtimeve individuale të Valdet Ramës, i cili tentonte të krijojë hapësira për bashkëlojtarët e tij që humbiseshin para mbrojtjes helvete.
Skuadrat shkuan në pushim me barazim 0-0.
Pjesa e dytë e ndeshjes fillon me një gol kosovar të Zvicrës, ku pas asistimit të Granit Xhakës, Xherdan Shaqiri shënon shpejtë për avantazhin zviceran.
Pas këtij goli, Shaqiri del nga loja për shkak të zgjatjes së muskulit, lëndim i lehtë që e morri në pjesën e parë, ndërsa në vend të tij u fut Admir Mehmedi.
Tekniku italin i kombëtares, De Biasi reagoi duke futur në lojë Odhise Roshin në vend të Gashit, si dhe Jahmir Hykën në vend të Amir Abrashit.
Rasti më i mirë për Shqipërinë erdhi në minutën e 75-të kur një predhë e Roshit u dëbua nga shtylla zvicerane kurse Hamdi Salihi çuditërisht e bëri më të vështirën, duke goditur jashtë me kokë nga pesë metra, derisa porta ishte plotësisht e zbrazët.
E kur nuk e jep, ta japin. Rregulli i pashkruar i futbollit doli përsëri në pah, kur vetëm dy minuta më vonë pas një krosimi jopremtues, krahmbrojtësi Michael Lang, ia siguroi helvetikëve biletën për Brazil, pasi që mbrojtja shqipe nuk arriti ta largojë topin.
Agon Mehmeti u fut në minutën e 83-të të ndeshjes në vend të Valdet Ramës, i cili ka qenë njëri ndër futbollistët që punoi më së shumti për kuqezinjtë sonte.
Një pakujdesi e portierit Diego Benaglio në fund, duke e rrëzuar Lilën në zonë, mundëson që Shqipëria të shënojë golin e nderit nga penalltia nëpërmjet sulmuesit që tentoi dy herë me gërshërë sonte, Hamdi Salihi.
Zvicra në Brazil, Shqipëri lamtumirë Brazilit.
SHQIPËRIA-ZVICRA, 11-shet e para:
Shqipëria | Berisha; Mavraj, Lila, Cana, Agolli; Bulku, Kaçe, Gashi, Rama, Abrashi; Salihi; | ||
Zvicra | Benaglio; von Bergen, Lang, Rodriguez, Schar; Behrami, Inler, Shaqiri, Xhaka, Stocker; Seferovic; |