TAHIR BATATINA
Batatina: Agjërimi i disa lojtarëve ndikoi në performancë
21 April, 2021 @18:03
Skuadra e Llapit është finalistja e dytë e Kupës së Kosovës.
Llapjanët u kualifikuan tutje pasi barazuan me rezultat 2-2 me Prishtinën, në ndeshjen kthyese të gjysmëfinales.
Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, pas ndeshjes shprehu kënaqësinë që skuadra e tij u kualifikua në finale duke e mposhtur një tjetër skuadër të fortë siç është Prishtina, derisa në peformancën e sotme tha se ndikoi edhe agjërimi i disa lojtarëve.
“E kemi ditur që nuk do të jetë lehtë kualifikimi në finale. Ajo që më gëzon si trajner është fakti që jemi kualifikuar falë punës dhe angazhimit të lojtarëve dhe mbi të gjitha duke i mposhtur rivalët e fortë siç janë Ballkani, Trepça ‘89 dhe Prishtina. Mendoj që kjo është një meritë, kur një skuadër shkon në finale dhe i mposhtë skuadrat e kreut të tabelës. Në ndeshjen e parë Prishtina ishte e lodhur nga derbi me Ballkanin dhe ne e shfrytëzuam lodhjen e tyre, ndërsa sot na vunë në vështirësi sidomos në pjesën e dytë. Por më e rëndësishmja për ne ishte që të kualifikohemi. Te lojtarët tanë ka ndikuar pak edhe pjesa e agjërimit, për arsye se disa lojtarë nuk ishin në gjendje të japin maksimumin”, tha Batatina për Art Sport.
Në finale Llapi do të luajë me skuadrën e Dukagjinit të Klinës, që drejtohet nga Armend Dallku.