Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

TAHIR BATATINA

Batatina: E kemi pasur freskinë e duhur për fitore

Batatina: E kemi pasur freskinë e duhur për fitore


7 April, 2021 @17:51

Skuadra e Llapit ka shënuar fitore të rëndësishme në ndeshjen e parë të gjysmëfinales së Kupës së Kosovës ndaj Prishtinës.

Llapjanët fituan me rezultat 2-3 në kryeqytet, për të pasur avantazhin para ndeshjes kthyese që do të luhet pas 2 jave në Podujevë.

RAPORTI I NDESHJES

Pas ndeshjes trajneri i Llapit, Tahir Batatina, për Art Sport tha se një ndër faktorët kryesorë në këtë fitore ishte freskia e lojtarëve të tij nga ndeshja e fundit.

“Realizuam gol në momentet më të mirat në minutat e parë dhe ai gol ishte i qetësisë. Pastaj ishim të vëmendshëm dhe të kujdesshëm. Është moskujdesi se si i pranuam dy gola në atë mënyrë të lehtë, kjo do të thotë që duhet të jemi të kujdesshëm në ndeshjet e radhës. E dijmë që Prishtina ka luajtur një ndeshje të fortë kundër Ballkanit, kurse unë i kam ruajtur lojtarët dhe e kemi pasur freskinë më të duhur në skuadër. E bëmë maksimumin si ekip që në pjesën e parë të mundohemi të shënojmë një gol dhe më pas të mbrohemi aq sa mos të shënojë Prishtina ndonjë gol. Mund të them se Prishtina ka pasur mundësi që në fund të barazonte rezultatin dhe pastaj të vijmë në vështirësi, ashtu që në ndeshjen kthyese të jemi shumë më të kujdesshëm për arsye se gjithmonë skuadrat si Prishtina mund të shënojnë në momentet kritike në fund”, tha ai.

Më tej, Batatina shtoi se përparsia e Llapit në krahasim me Prishtinën është se llapjanët janë të fokusuar në vetëm një trofe dhe ky është synimi kryesor për të arritur Evropën.

“Llapi është larg titullit të kampionit ndërsa Prishtina është në hap për titull. Ndoshta fokusi në dy trofetë do të jetë më i vështirë për ta, ndërsa për ne mbetet Kupa objektivi kryesor. Është shumë më vështirë për një skuadër të luajë ndeshje pas tri ditësh nga derbi ndaj Ballkanit në luftë për titull dhe pastaj të luajë ndaj Llapit që i ka ruajtur 11 lojtarë nga ndeshja e fundit.  Kemi rrezikuar ndaj Feronikelit por besoj se në fund do ta arrijmë objektivin duke e bërë Llapin evropian”, përfundoi ai.


 
Të gjitha lajmet nga Kupa e Kosovës