TAHIR BATATINA
Batatina ngrit në qiell dy lojtarët e tij
18 March, 2021 @16:01
Skuadra e Llapit është kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, pasi e mposhti Trepçën ‘89 me rezultat 1-2, në ndeshjen që u zhvillua në stadiumin “Riza Lushta” të Mitrovicës.
Pas ndeshjes, trajneri i Llapit, Tahir Batatina, i ngriti në qiell dy futbollistët e tij, Ahmed Januzi dhe Valmir Veliu, të cilët ishin edhe golashënuesit për ekipin llapjan.
“Rikthimi i Januzit nga lëndimi është një përforcim i madh për ne. Nuk e kemi pasur në skuadër Januzin, na ka munguar sulmuesi, kurse pa qendërsulmues tipik është vështirë ta improvizosh lojën. Edhe pa Januzin kemi kaluar mirë në disa ndeshje, por me të mendoj se e kemi shumë më të lehtë. Ai është lojtar i kalibrit më ndryshe. Gjithashtu më gëzoi fakti që sot shënoi Valmir Veliu, i cili do të jetë Milot Rashica i dytë, për arsye se është lojtari më i shpejt në ligë dhe është i ftuar edhe në reprezentacionin e Kosovës. Shpresoj që Valmiri shumë shpejt do të luajë në ndonjë skuadër evropiane, pasi që kërkesat për të veçse kanë filluar”, tha Batatina pas ndeshjes për kanalin transmetues të ndeshjes.
Ndër tjerash ai foli edhe për pjesën taktike të ndeshjes dhe synimet në Kupë.
Numri një i llapjanëve duke i përmendur disa legjenda që kanë kaluar nga ky klub, si Fadil Vokrri, Esat Mehmeti e Emin Simnica, tha se për hir të tyre triumfi në Kupë është synimi kryesor i Llapit.
“E kemi ditur që në pret një ndeshje e vështirë. Një Trepçë e cila këtu di të luajë futboll të mirë, futboll cilësor dhe është vështirë për ta mposhtur në këtë stadium. Por ne u futëm në ndeshje vetëm për të fituar dhe që nga minuta e parë kemi sulmuar e jemi mbrojtur si skuadër, kemi bërë maksimumin dhe kemi arritur kualifikimin. Synim e kemi Kupën e Kosovës, pasi në kampionat jemi larg. Llapi i legjendave si Fadil Vokrri, Esat Mehmeti, Emin Simnica e shumë të tjerë, e meriton që trofeu të shkojë në Llap”, tha ai.