FLET LORIK CANA
Befasojmë Serbinë
14 October, 2014 @14:06
Kapiteni i kombëtares shqiptare, Lorik Cana, që ka folur sot për Blic Sportin serb ka thënë se kuqezinjtë janë në Beograd për të befasuar Serbinë.
“Nëse luajmë sikurse në Portugali, do të befasojmë Serbinë, pasi që kemi ekip të mirë. Serbia ka ekip shumë të mirë me lojtarë që luajnë në ekipe më të mira të kontinentit, që do të thotë se do ta kemi vështirë, por fuqia jonë është mentaliteti. Ne nuk kemi individë, por luajmë për prezentim sa më të mirë të vendit tonë,” është cituar të ketë thënë shtylla e kombëtares shqiptare, Cana.
Në anën tjetër, gazetari serb nuk ka anashkaluar Canën pa e pyetur për duelin me bashkëlojtarin e tij nga Lazio që luan për Serbinë, Filip Đorđević.
“Kam folur me Đorđevićin para se të arrij në Beograd. E njoh që kur ka qenë në Francë, derisa ka luajtur për Nantesin. Filip është lojtar cilësor dhe shpresoj që do të shënojë shumë për Lazion, por do të bëj gjithçka që ta ndalë atë në ndeshjen e sotme,” ka shtuar më tej kapiteni kuqezi, Lorik Cana.
Për Canën, kjo ndeshje do të jetë e karakterit të veçantë, pasi që me daljen në fushë dhe me fillimin e ndeshjes ndaj Serbisë, ai do ta thyej rekordin e numrit të paraqitjeve me fanellën e kombëtares, duke regjistruar paraqitjen e 80-të - për të thyer rekordin e deritashëm të Altin Lalës, që ka 79 paraqitje.