FLET FATOS BEQIRAJ
Beqiraj: S’më kanë kontaktuar nga FFK
14 October, 2016 @12:58
Sulmuesi pejan, Fatos Beqiraj, në një intervistë të dhënë për Kohën Ditore ka bërë të ditur se ai asnjëherë nuk është kontaktuar nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) lidhur me ftesën për në reprezentacion të Kosovës.
SQARIM, JO ARSYETIM
Ai ka bërë të ditur qartë se nuk ka qëllim arsyetimin me këtë që po thotë, por vetëm të qartësohet te opinioni, ashtu që të nesërmen mos të bëhen thashetheme lidhur me emrin e tij.
“Që prej pranimit të Kosovës emri im nuk është përmendur asnjëherë. Nuk kam fol me askë dhe nuk kam pasur asnjë telefonatë.” - ka thënë sulmuesi 28 vjeçar për gazetën në fjalë sot.
“Këtë e them jo për t’u arsyetuar, por që opinioni të dijë të vërtetën dhe të mos marrin qëndrime pa e ditur situatën e vërtetë. Nuk është e vërtetë që janë kontaktuar të gjithë lojtarët nga Kosova në përfaqësuese tjera. Mua nuk më ka kontaktuar askush.” - ka thënë ndër të tjera sulmuesi i Dinamos së Moskës.
SULMUES KRYESOR
Beqiraj ka shënuar së fundi dy gola për Malin e Zi në kualifikime për Kampionatin Botëror “Rusia 2018”. Bile, ai ka shënuar golat vendimtar në ndeshje, ndërsa të vetmin në fitoren e madhe të fqinjit Perëndimor të Kosovës në Kopenhagë ndaj Danimarkës.
Tash, Mali i Zi udhëheq Grupin E kualifikues për “Rusia 2018” me 7 pikë nga 3 ndeshje, aq sa ka edhe favoritja e grupit, Polonia, që aktualisht gjendet në vendin e dytë.
PREJ SHQIPONJËS DREJT CHAMPIONS LEAGUE
Beqiraj ka pas nisur karrierën te skuadra e Shqiponjës, pastaj kaloi te Besa. Prej aty shkoi te Buduçnosti i Podgoricës, prej ku arriti në Dinamo të Zagrebit.
Me Dinamon luajti në Ligë të Kampionëve, ku i shënoi edhe gol Real Madridit.
U largua më pas në drejtim të elitës së futbollit kinez për t’iu kthyer vendeve të ish-BRSS dhe së fundi është anëtar i Dinamos së Moskës.