PËRFAQËSUESJA

Foto: FFK
Bernard Challandes: Dua të krijoj mentalitet fitues
22 March, 2018 @18:13
Pas stërvitjes së parë me skuadrën, Bernard Challandes, përzgjedhësi i Kosovës, deklaroi:
“Përfaqësuesja ka individë të talentuar, ka lojtarë që dinë të luajnë futboll. Puna ime është që prej këtyre individëve të krijoj një ekip – një ekip që para së gjithash, bile edhe përpara të të luajturit mirë, luan me zemër, luan për fitore, ka kompaktësi, lufton për Kosovën. Një ekip që thotë “unë jam Kosova” dhe do të vrapoj, do të luftoj, do ta marr topin, do të luftoj edhe më shumë, për fitore.
Unë i kam shikuar të gjitha ndeshjet e Kosovës gjatë kualifikimeve për Kupën e Botës. Ajo që kam parë është se lojtarët gjatë kualifikimeve e kanë bartur fanellën e Kosovës, kanë luajtur futboll, kanë luajtur korrekt dhe kaq, asgjë më tepër. Por tani jemi një një nivel tjetër, pra si të thuash, duhet të fillojmë të ndërtojmë katin e dytë.
Unë dua të krijoj një ekip që të funksionojë si një familje, që nuk dorëzohet, që thotë “unë nuk do të lejoj që Kosova të humbë, të marrë 24 gola”. Kjo është e rëndësishme tani, të krijojmë një mentalitet fituesi.”
Sa i përket ndeshjes miqësore me Madagaskarin, e cila zhvillohet pas pak ditëve, Challandes shtoi:
“Kjo nuk do të jetë një ndeshje e lehtë. Them se ne as nuk duhet e as nuk jemi në pozitë për ta nënçmuar asnjë ekip. Secili ekip që vihet përballë nesh është një ekip që e meriton respektin më të madh. Madagaskari dje ka luajtur një lojë shumë të mirë kundër Togos. Kam qenë i befasuar me cilësinë e lojës. Ne ndoshta mendojmë që ai është një vend i vogël por ka një ekip shumë, shumë të mirë. Ka lojtarë që luajnë në Francë, në Belgjikë dhe gjithkah nëpër botë, një ekip që ka arritur deri në fazën finale të Kupës së Afrikës dhe kjo nuk është e lehtë. Ne duhet të bëjmë një lojë shumë të mirë për të pasur sukses.”