SAMIR UJKANI

Si kaloi stërvitja e parë me Challandesin?
21 March, 2018 @21:48
Përfaqësuesja e Kosovës që pas tre ditëve zhvillon miqësoren ndaj Madagaskarit në Francë, ka mbajtur sot stërvitjen e parë nën urdhërat e zviceranit, Bernard Challandes, që erdhi në krye të Kosovës në fillim të këtij muaji.
Derisa FFK e ka quajtur “formë shumë të mirë dhe frymë bashkëpunimi e optimizmi” stërvitjen e futbollistëve nën Challandesin, kapiteni i reprezentacionit, portieri Samir Ujkani ka thënë se ekipi është pjekur.
“Kemi ndjekur me lehtësi udhëzimet dhe teknikat e kërkuara nga trajneri. Tashmë falë përvojës së përbashkët gjithçka është më lehtë,” ka thënë Ujkani, derisa ka folë edhe për kundërshtarët e radhës.
“Respektojmë kundërshtarët. Burkina Faso nuk është aspak ekip i lehtë. Me përvojën që kemi jam optimist se do të luajmë mirë dhe do të shfaqim fuqinë. Duhet të kemi parasysh se fuqia e ekipit nuk është te talentët si individë të veçantë, por te koordinimi që të funksionojmë si një trup i vetëm,” ka thënë Ujkani.
Kosova më 24 mars luan ndaj Madagaskarit, ndërsa më 27 mars luan ndaj Burkina Fasos. Të dyja ndeshjet do të zhvillohen në Jean Rolland të Francoville’it, pranë Parisit.