SULEJMAN STAROVA

Edhe Feronikeli me trajner nga Shqipëria
20 March, 2018 @20:30
Tashmë numri i skuadrave të Superligës me trajner nga Shqipëria ka shkuar në katër. Pas Lirisë, që nisi e para këtë stinor me trajner Bledi Shkëmbin, Prishtina solli Mirel Josën, e në afatin kalimtar të janarit, Trepça’89 solli Gugash Maganin.
Vetëm një ditë pas dorëheqjes së Ismet Munishit, Feronikeli sot ka zyrtarizuar trajner Sulejman Starovën, ish-trajnerin e Partizanit të Tiranës.
“Do ta bëjmë të pamundurën që ta çojmë deri në fund synimin tonë dhe ta fitojmë titullin,” është cituar të ketë thënë Starova për faqen zyrtare të Feronikelit në deklaratën e parë të tij pas marrëveshjes së arritur.
Me ardhjen e Starovës, numri i trajnerëve që kanë drejtuar Feronikelin këtë stinor, shkon në katër. Ekipi nga Gllogoci stinorit ia nisi me Gani Sejdiun, vazhdoi me Zekirija Ramadanin dhe së fundi nisi pranverën me Ismet Munishin.