PARA FINALES SË KUPËS: BESA-LLAPI
Besa e Llapi, nesër kërkojnë Kupën e Kosovës
Speciale nga Borozani.com para finales
30 May, 2017 @13:24
Dy skuadrat e forta të Superligës së Kosovës, Besa dhe Llapi, nesër do të ndeshen mes veti në “Riza Lushta” të Mitrovicës për të përcaktuar fituesin e trofeut të madh, Kupës së Kosovës, për vitin 2017.
Të dyja skuadrat janë të kompletuara për këtë ndeshje. Asnjëra skuadër nuk ka raportuar për mungesa të theksuara, derisa ndeshja e nesërme pritet të mbush stadiumin e Mitrovicës, ku ditë më parë u ngrit trofeut i kampionit të Kosovës nga Trepça’89.
PËRGATITJET
Besa ka kaluar krizën financiare dhe lojtarët e ekipit të parë duken të motivuar për duelin, pasi që kanë nisur me vrull stërvitjet.
Llapi në ditët e fundit ka stërvitur nëpër stadiume me bar natyral, për tu përshtatur sa më mirë për këtë ndeshje.
Riza Lushta ka bar natyral, ndërsa stadiumi i Llapit Zahir Pajaziti është me bar sintetik.
HISTORIA NË KUPË
Besa ka triumfuar dy herë në Kupë të Kosovës. Ekipi pejan ka fituar finalen e vitit 2005, duke e mposhtur KEK-un 3-2 si dhe finalen e vitit 2011, kur mposhti Prishtinën 2-1.
Llapi asnjëherë më parë nuk ka qenë në finale të Kupës dhe kjo është hera e parë për ekipin nga Podujeva që do të ketë rast të triumfojë në këtë garë.
PERFORMANCAT GJATË STINORIT
Besa e kreu stinorin në mes të tabelës, në pozitën e gjashtë me 47 pikë nga 33 xhiro, duke fituar 13 ndeshje me golaverazh 42-39.
Llapi ka përfunduar stinorin në pozitën e tretë, me 21 fitore dhe 68 pikë të tubuara, me golaverazh 44-30.
DUELET MES VETI
Këtë stinor në Superligë, skuadrat janë takuar tre herë mes veti dhe asnjëra ndeshje nuk ka përfunduar me barazim. Fitoret i kanë marrë vendasit.
Llapi ka fituar duelin e parë 3-2, pas rikthimit të madh në pjesë të dytë prej 0-2 në 3-2.
Dueli i dytë, i zhvilluar në Pejë i takoi Besës, që me Xhevdet Shabanin shënoi për fitore, 1-0.
Dueli i tretë, i luajtur së fundi më 23 prill i takoi Llapit vendas, që mposhti Besën në 20 minutat e fundit të takimit 2-0 me anë të golave të Hamdi Namanit dhe Egzon Sinanit.
TRAJNERËT
Besa nisi stinorin me Gani Sejdiun, i cili dha dorëheqje pas 22 ndeshjeve me klubin, për ta zëvendësuar me Astrit Imamin.
Sidoqoftë, për Kupë, Imami personalisht ftoi Sejdiun me përvojë për t’i ndihmuar në përgatitje të ekipit, të cilën Sejdiu po e bën me gjithë qejf bashkë me Imamin.
Ndërkaq Llapi, është ndër skuadrat që mund të numërohen në gishtat e njërës dorë që ka nisur dhe ende vazhdon me trajnerin e njejtë. Tahir Batatina duket i paprekshëm, ndërsa ngritja e Llapit prej se u kthye nga Liga e Parë (2 vite më parë) po vërehet në çdo aspekt.
GOLASHËNUESIT
Te Besa, Qemail Elshani me 11 gola është golashënuesi më i mirë i stinorit për ekipin pejan. Pas tij vjen Xhevdet Shabani që ka shënuar 10 gola.
Në anën tjetër, te Llapi primatin e mbajnë Berat Hyseni dhe Florim Bërbatovci me nga 9 sosh.
MOTI DHE PUBLIKU
Koha pritet të jetë e mirë nesër në finalen e Mitrovicës, ndërsa të dyja skuadrat pritet të marrin sa më shumë tifozë që munden për ekipet përkatëse.
Temperatura do të arrijë maksimalisht deri në 26 shkallë celziusi në Mitrovicë nesër.
SI ARRITËN NË FINALE?
Besa në të tetën e finales mposhti Dritën 3-1, pastaj eliminoi Prishtinën me 1-0. Në gjysmëfinale pejanët kaluan Trepçën pas dy ndeshjeve me rezultat të përgjithshëm 8-2.
Llapi eliminoi Feronikelin në të tetën e finales pas penalltive, pastaj në çerekfinale kaloi Lirinë ndërsa në gjysmëfinale eliminoi Drenicën, pas dy ndeshjeve me rezultat të përgjithshëm 4-1.