DRITA 0-0 FEYENOORD
Betejë heroike, Drita barazon me Feyenoordin
22 July, 2021 @23:00
Kampioni i shumëfishtë i Holandës, Feyenoord, është ndalur në Prishtinë në Fadil Vokrri nga nënkampionja e Kosovës, Drita.
Drita ka arritur të barazojë me Feyenoordin 0-0.
Skuadra holandeze që stinorin e fundit e përfundoi në pozitë të pestë të renditjes tabelare në Eredivisie, pos rastit konkret në minutën e fundit të kohës shtesë (90+5) kur qëlloi shtyllën përmes rezervistit Francesco Antonucci, ka rrezikuar portën e Faton Malokut, edhe tri herë tjera (2 në pjesë të parë dhe 1 në pjesë të dytë) por ish-portieri i kombëtares së Kosovës ka qenë në vend.
Një paraqitje heroike e të përzgjedhurve të Ardian Nuhiut, që nuk ndërroi asnjë lojtar nga 11-shja startuese deri në minutën e 86 të ndeshjes, kur Astrit Falziu i la vendin Driton Islamit dhe Almir Ajzeraj në minutat shtesë ia la vendin Betim Haxhimusës kurse Almir Kryeziu zëvendësoi Arbnor Mujën.
Organizim tejet i mirë në lojë të gjilanasve, derisa Intelektualët në tribuna nuk u ndalën për asnjë moment në përkrahje - bën që Drita të duket e barabartë në shumë aspekte karshi ekipit të famshëm holandez.
Mbrojtja me në krye kapitenin Ardian Limani funksionoi thuajse perfekt te bardhekaltërit e Gjilanit, kurse me përvojën e Jamal Aragos dhe Ardian Cuculit, Drita thuajse nuk pa asnjë rrezik serioz, pos shutave nga largësia dhe 2 rasteve të përmendura, në portë përgjatë gjithë ndeshjes ndaj kundërshtarit shumë më të vlefshëm në shuma të lojtarëve.
Barazimi 0-0 çon me shpresë Dritën në Rotterdam javën tjetër, ndërsa ekipi i Nuhiut do të vazhdojë të shpresojë në një befasi të madhe evropiane për të kërkuar raundin e tretë të Ligës së Konferencës, ku fituesin e kësaj përballjeje e pret Luzerni zviceran.