KOSOVA - SUEDIA
Blend Baftiu: Ndjenjë e papëshkrueshme, presim paraqitje të mirë
10 January, 2020 @19:49
Në Doha të Katarit, sot Kosova ka zhvilluar stërvitjen e tretë para miqësores jozyrtare ndaj Suedisë.
“Stërvitja e sotme ka nisur me ushtrimet e zakonshme fizike, vrapim dhe lojë në hapësirë të vogël me pasime të shpejta. Më pas përzgjedhësi Challandes ka punuar në skemat taktike dhe në lojën me presion të lartë, duke i dhënë vazhdimisht instruksionet e tij për futbollistët.” - shkruhet në njoftimin e FFK-së, ndërkohë që pas stërvitjeve, për faqen zyrtare të FFK-së ka foluar Blend Baftiu, talenti i Ballkanit për të cilin kjo është hera e parë që ftohet nga përfaqësuesja.
”Është një ndjenjë e veçantë dhe e papërshkrueshme, por edhe përgjegjësi të jesh pjesë e skuadrës A. Është hera e parë për mua që kam marrë ftesë nga përzgjedhësi Challandes dhe po ndjehem shumë mirë në mesin e bashkëlojtarëve. Stërvitjet po shkojnë shumë mirë, prandaj besoj që do të kemi paraqitje të mirë kundër Suedisë.
Të gjithë lojtarët janë të motivuar dhe angazhimi i secilit në stërvitje është maksimal. Për këtë arsye pres që të kemi një prezantim sa më të mirë në ndeshjen e së dielës. Normalisht që ëndërr dhe synim i imi është që edhe në të ardhmen të jem pjesë e përfaqësueses.” - u shpreh Baftiu.
Ndeshja mes Kosovës dhe Suedisë luhet më 12 janar, pra pas dy ditëve.