SELEKTORI I RI

Blick: Alex Frei trajner i Kosovës?!
15 October, 2021 @16:00
E përditshmja zvicerane Blick, në faqet online të sportit ka publikuar një lajm sot që flet për mundësinë e ish-sulmuesit të Zvicrës, Alexander Frei për tu bërë selektor i ri i Kosovës në futboll.
Kosova pardje shkarkoi nga detyra selektorin zviceran Bernard Challandes. Challandes qëndroi katër vjet në stolin e Kosovës.
“Kërkimet për pasuesin e Bernard Challandes po vazhdojnë pandërprerje për FFK-në. Në biseda është edhe një zviceran për të kryer këtë detyrë,” ka bërë të ditur fillimisht gazeta.
“Sipas informatave që ka siguruar Blick, Alex Frei 42-vjeçar është favorit për të zëvendësuar Challandesin. Legjenda e Baselit dhe e Zvicrës, është aktualisht trajner i Willit, ndërsa sipas raporteve të siguruara, kreu i FFK-së do të jetë në Zvicër të premtën. John Gregory (67-vjeç, britanik) dhe Primoz Gliha (54-vjeç, slloven) janë kandidatët tjerë,” ka përmendur Blick.
Kosova është e fundit në Grupin B kualifikues për Botëror drejt Katarit pas humbjes ndaj Gjeorgjisë disa ditë më parë.
Kosova është duke shikuar selektorin e ri për të pas kampanjë të suksesshme në kuadër të Ligës së Kombeve që nis në qershor të vitit të ardhshëm.
Më parë, si opsione për të zëvendësuar Challandesin janë përmendur edhe ish-trajner i Bayernit, Felix Magath si dhe ish-selektori i Shqipërisë, Gianni de Biasi. Këtij të fundit kontrata me Azerbajxhanin i përfundon në muajin e ardhshëm.