ISH LOJTARI I TREPÇËS '89
Boniface prezentohet te Partizani
4 January, 2017 @13:00
Skuadra nga kryeqyteti shqiptar, Partizani, ka prezentuar sot përforcimin e ri nga Trepça ‘89, Mathew Boniface.
Me rastin e prezentimit të tij, sulmuesi nigerian ka shprehur kënaqësinë e tij që i është bashkuar të kuqve.
“Të jem i sinqertë jam shumë i lumtur që do të jem pjesë e Partizanit këtu në Shqipëri. Pata një eksperiencë disa ditore me Skënderbeun dhe arsyet që nuk qëndrova aty tashmë janë bërë të ditura. Besoj se me kalimin te Partizani kam bërë zgjedhjen e duhur. Vij nga kampionati kosovar që për mendimin tim është disi i çuditshëm , unë kam provuar të luaj në kampionate dhe skuadra mjaft kompetitive, ndërkohë që futbolli kosovar ndryshon shumë nga kampionatet ku jam aktivizuar .Për mua kampionati Shqiptar është shumë më tepër dhe mendja ime gjithmonë ishte të jem pjesë e këtij kampionati pasi është mjaf i fortë dhe cilësor,” tha ai.
Më tej, Boniface tregoi edhe arsyet e zgjedhjes së tij për t’u transferuar te Partizani, derisa premtoi që do të shënojë 10 gola këtë stinor me fanellën e Partizanit.
“Arsyeja ishte sepse Partizani u tregua i gatshëm të më bëntë pjesë e tij. Klubi dhe drejtuesit janë treguar mjaft të dashur me mua do të thoja siç i shpreh prindi dashurinë fëmijës së tij dhe kjo gjë më ka bërë shumë përshtypje dhe e vlerësoj shumë. Nga momenti që mësova se Partizani ishte i interesuar për mua nuk u mendova dy herë. Kam parë shumë ndeshje të skuadrës, madje edhe ato që ka luajtur në Kupat e Evropës. Më pëlqen kjo skuadër pasi i përshtatet shumë stilit të lojës tim dhe jam shumë i lumtur që tashmë jam pjesë e këtij klubi dhe dua të jap gjithçka timen edhe në kampionatin shqiptar për më tepër të ndihmoj klubin në fitimin e titullit kampion. Me sa kam ndjekur skuadra është mjaft e fortë dhe mendoj se 99% ka shanse të fitoj titullin. Kjo skuadër jep maksimumin në çdo ndeshje. Mezi pres t’i bashkohem ekipit në stërvitje, Përsa i përket golave, objektivi im është të realizoj 10 gola.”