PORTUGEZI
Brenda 10 ditësh, dy herë në Elbasan Arena
15 September, 2015 @9:47
Vetëm disa ditë më parë, përkatësisht më 7 shtator, mesfushori ofansiv i Portugalisë, Ricardo Quaresma, së bashku me përfaqësuesen portugeze, kishin zbarkuar në Elbasan Arena për ndeshjen e rëndësishme për kualifikimet në kampionatin europian ndërmjet Shqipërisë dhe Portugalisë.
Në këtë ndeshje Quaresma ishte inkuadruar në lojë nga minuta 65’, ndërsa korneri i krosuar nga ai në minutat shtesë përfundoi në portë, që dha fitoren me rezultat minimal Portugalisë.
Tani, vetëm dhjetë ditë më vonë, Quaresma do të jetë i pranishëm përsëri në stadiumin Elbasan Arena, por kësaj radhe me fanellën e skuadrës së tij, Besiktas, që do të jetë mysafire e kampionit shqiptar, Skenderbeut, në kuadër të Europa League.
Quaresma nuk do të ndjehet i huaj në Elbasan Arena, pasi që ende kujton momentet e disa ditëve më parë që i kishte kaluar në këtë stadium.
Ndeshja ndërmjet Skenderbeut dhe Besiktasit luhet të enjtën më 17 shtator nga ora 21:05.