PA FITORE NË GJYSMËFINALE
Buletini 20: Mjeshtërit e barazimeve
1 July, 2016 @11:51
S’KA NEVOJË PËR FITORE
Portugalia është skuadra e vetme pa fitore gjatë pjesës së rregullt të ndeshjes, që ende mbetet në garë në EURO 2016, por ajo e ka edhe një të mirë - mbetet ende e pamposhtur.
KUR BESON, E ARRIN
Cristiano Ronaldo pas kualifikimit me shumë tension me anë të penalltive, dha një mesazh motivues nëpërmjet Twitterit. “Kur beson, e arrin,” ka shkruar ai.
NJERIU QË PO SHKËLQEN
Është vetëm 18 vjeçar, por me paraqitjen e tij ndaj Polonisë dhe me golin e shënuar, Renato Sanchez, ishte më në qendër të vëmendjes se sa ylli botëror Cristiano Ronaldo. E goli i tij i bukur, gjithsesi që vlen të shikohet edhe njëherë.
#EURO2016 #POLPOR Like #EdgarDavids #RenatoSanches #awesome @ 19,thanks #Nani for the assist https://t.co/7gM8aW5MHf pic.twitter.com/IHzithOePF
— KOKOBET (@KokobetCom) July 1, 2016
EIFFELI ME NGJYRAT E PORTUGALISË
Kulla e Eiffelit në Paris ka marrë ngjyrat e flamurit portugez pas kualifikimit në gjysmëfinale të përfaqësueses së Portugalisë.
CICËRIMA E DITËS
Mbiemri i mbrojtësit polak, Artur Jedrzejczyk, do të ishte një alternativë e mirë për password të WiFi-së.
GOLASHËNUESIT E BAYERNIT
Që të dy golat e ndeshjes Poloni-Portugali, u shënuan nga futbollistët e Bayernit. Së pari Robert Lewandowski për Poloninë, e më pas Renato Sanchez për Portugalinë.
MË I SHPEJTI, LEWY
Robert Lewandowski e shënoi golin e tij të parë në EURO 2016, që ishte edhe goli më i shpejt i shënuar në këtë kampionat. Atij i mjaftuan vetëm 1 minutë e 40 sekonda për ta mposhtur portierin Rui Patricio. Ndërsa në përgjithësi, ky ishte goli i dytë më i shpejtë në histori të Kampionateve Europiane.
SIKLETI I RONALDOS
Ekzekutimi i penalltive ka qenë plot emocion dhe siklet sidomos për yllin e Portugalisë, Cristiano Ronaldo. Ai i përcjelli penalltitë i vetmuar prapa bashkëlojtarëve të tij, kur të gjithë të tjerët ishin krah për krahu.
NDËRHYRJA E ASHPËR!
Rasti më i çuditshëm ishte gjatë kohës së vazhdimeve kur në fushë u fut një tifoz portugez. Ai vrapoi në drejtim të Ronaldos për ta përqafuar, mirëpo ky i fundit i iku atij. Më pas pasoi edhe ndërhyrja e ashpër nga sigurimi i stadiumit, për ta ndalur “mysafirin e paftuar”.
Most entertaining part of this game as a fan runs onto the pitch - #POLPOR #EURO2016https://t.co/eTzimMFgaE
— SemperFiUnited (@SemperFiUnited) June 30, 2016
NË MAJE TË HISTORISË
Ndeshja e sontme çerekfinale, është më e rëndësishmja në histori për Uellsin. Uellsi po merr pjesë për herë të parë në një Kampionat Europian dhe qysh tash i ka përmbushur pritjet duke arritur deri në çerekfinale. Tani ata do të synojnë gjysmëfinalen në ndeshjen kundër Belgjikës sonte.
UELLSI
Vetëm arritja deri këtu është histori në vete për Uellsin. Ekipi nga Britania në fazën grupore u mposht nga Anglia, për t’u kualifikuar më pas me dy fitore në takimet e tjera kundër Sllovakisë dhe Rusisë. Në 1/8 e finales Uellsi e kaloi Irlandën Veriore.
BELGJIKA
Belgjika deri në çerekfinale erdhi duke pësuar humbje nga Italia në ndeshjen e parë të fazës grupore dhe më pas duke e mposhtur me rend, Republikën e Irlandës, Suedinë dhe Hungarinë.
NDESHJET E NDËRMJETME
Uellsi dhe Belgjika, deri më tani janë takuar 12 herë. Bilanc më të mirë ka Belgjika me 5 fitore, një më shumë se Uellsi që ka 4. Ndërsa te golat, Uellsi gjendet më mirë me një gol më shumë se ekipi belg.