ÇEREKFINALET
Pas penalltive, Portugalia në gjysmëfinale
30 June, 2016 @23:50
Me 120 minutat që u mbyllen me rezultat të barabartë, ndeshja u detyrua të shkojë në goditjen e 11-metërshave dhe aty më e suksesshme u tregua Përfaqësuesja e Portugalisë, e cila shënoi të gjitha penalltitë, ndërsa në anën tjetër tek Polonia gaboi Jakub Błaszczykowski, duke bërë kështu që gjysmëfinalistja e parë të jetë Portugalia.
Gjatë lojës së rregullt, të parët në epërsi kaluan polakët me golin e Robert Lewandowskit, i cili shënoi golin e dytë më të shpejtë në histori të kampionateve evropiane. Sulmuesi i Bayernit golin e tij sonte e shënoi pas vetëm 100 sekondave. Rezultati u barazua në minutën e 33’ përmes Renato Sanchesit, ndërsa gola të tjerë më nuk pati.
Në gjysmëfinale, Portugalia pret fituesin e takimit mes Uellsit e Belgjikës.
Vlen të përmendet që kjo është gjysmëfinalja e pestë e Portugalisë në 7 kampionet evropiane, ndërsa gjysmëfinalja e arritur këtë kampionat vjen pa asnjë fitore në 90 minutat e rregullt. Portugalia barazoi 3 ndeshje në grupe, ndërsa në fazën e eliminimit direkt u kualifikua pas lojës shtesë, fillimisht ndaj Kroacisë e pastaj ndaj Polonisë.