NANI
Çakir nuk dyshon te e kuqja!
8 March, 2013 @13:48
Referi Cuneyt Çakir, që u kritikua shumë pas dhënies së kartonit të kuq Luis Nanit në ndeshje ndaj Real Madridit në Old Trafford ka thënë se nuk ka gabuar aspak, njofton e përditshmja spanjolle sportive, As.
“Ndihem mirë dhe nuk kam kurrëfarë dyshimi për vendimet që i marr. Kartoni i kuq për Nanin ka qenë i drejtë. Njerëzit do ta kuptojnë këtë më vonë,” ka thënë ai për të përditshmen.
Ai u kritikua nga mediat angleze se kartonat e kuq ua jep atyre më së shumti, pasi që më parë kishte përjashtuar edhe John Terryn si dhe Mario Balotellin në vitin 2011 të Ligës së Kampionëve.
“Cila prej tyre ishte jokorrekte?! E Terryt? Apo e Balotellit? Mendoj se nuk kam gabuar te asnjëri rast,” ka thënë Çakir ndër të tjera.
“Unë e bëj punën time në mënyrë korrekte dhe jam në rrugë të mirë kështu,” ka thënë në fund turku.
Në momentin që ia dha kartonin e kuq mesfushorit portugez të Manchester Unitedit, që ishte në epërsi prej 1-0 në ndeshje, Real Madrid u kthjell duke shënuar dy herë dhe u kualifikua për në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.