SHTATËGJATI
Çani në Leeds për fitoret e radhës
3 February, 2015 @14:51
Sulmuesi i kombëtares shqiptare, Edgar Çani, që në ditën e fundit të afatit kalimtar të janarit siguroi kalimin në Leeds United, është shprehur të jetë i lumtur me kalimin në Angli.
Përveç tjerash, duke komentuar në faqen zyrtare të ekipit, tiranasi 25 vjeç ka thënë se dëshiron që t’i ndihmojë edhe më ekipit të tij për të arritur fitoret, sikurse në dy xhirot e fundit.
“Posa dëgjova se Leeds po më kërkon, mezi prisja kalimin në këtë skuadër. Mendoj se është skuadër e madhe dhe dëshiroj t’i ndihmojë skuadrës me fitore, ashtu si kishin arritur në dy xhirot e fundit,” ka thënë shqiptari për leedsunited.com.
Çani ka marrë fanellën me numër 10 të Leeds Unitedit dhe ka thënë se është i mirë në lojë me kokë dhe mbajtjen e topit derisa skuadra të vendoset në sulm, kur është pyetur për cilësitë e tij.
Çani kaloi nga Catania te Leeds për shumën prej 600 mijë eurove, kanë raportuar mediat italiane.
Leeds United është i rrezikuar me rënie nga Championship (liga e dytë e Anglisë) dhe me sulmuesin shqiptar shtatëgjatë, ata pretendojnë t’i ikin rrezikut të rënies dhe të ngjiten sa më lartë në klasifikim.