SKËNDERBEU VS. UEFA
CAS ndëgjon të hënën Skënderbeun
2 July, 2016 @15:37
Kampioni i Shqipërisë, Skënderbeu, në javën që po vjen do të mësojë nëse do të ketë të drejtën e garimit në Ligën e Kampionëve për sivjet.
Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS), ka bërë të ditur se data e mbajtjes së seancës dëgjimore për çështjen UEFA-Skënderbeu, do të jetë më 4 korrik.
Aty palët do t’i shpalosin argumentet e veta, ndërsa më pas vendimi do të merret me 5 ose 6 korrik, pas kërkesës nga të dyja palët për përshpejtim të procedurës për shkak se ndeshja e parë e Skënderbeut në Ligën e Kampionëve është paraparë të luhet më 13 korrik.
Komisioni i Apelit i UEFA-së kishte vendosur më 1 qershor ta pezullojë për një vit nga garat e Ligës së Kampionëve skuadrën e Skënderbeut, për shkak të dyshimeve për trukime, por më pas me ankesën e Skënderbeut në CAS, pezullimi është tërhequr derisa të jepet vendimi nga gjykata, me ç‘rast iu mundësua ekipit korçar të merr pjesë në short e tërhequr në Nyon.
Kundërshtari i Skënderbeut në Ligën e Kampionëve është skuadra Ferencvarosi nga Hungaria, ndërsa nëse gjykata vendos kundër skuadrës korçare, atëherë ajo do të eliminohet automatikisht dhe nuk do të ketë të drejtë të zëvendësohet nga ndonjë skuadër tjetër shqiptare.