LIRIA
Celina, pasardhësi i Gjinalit
10 October, 2015 @1:42
Skuadra e Lirisë ka gjetur trajnerin e saj të ri, pas largimit të trajnerit të deritashëm, Behajdin Gjinalit, i cili dha dorëheqje për shkak të rezultateve të pakënaqshme.
Drejtuesit e klubit prizrenas pas bisedimeve me disa trajnerë, më në fund kanë arritur marrëveshje me njërin prej tyre.
Kështu, bardhezinjë në vazhdim të stinorit do të udhëhiqen nga trajneri Erdogan Celina, i cili gjithashtu është nga qyteti i Prizrenit.
“Bisedat kanë vijuar me disa trajner dhe në fund ka qenë përcaktimi që shefi i ri i shtabit të jetë nga qyteti ynë. Në këtë kuadër kryesia unanimishtë votoi dhe i dha besimin Erdogan Celinës për të drejtuar skuadrën,” ka thënë kryetari i klubit Mirsad Collaku, shkruan faqja zyrtare e Lirisë.
Ndërsa i kënaqur për këtë marrëveshje është treguar edhe vetë trajneri, i cili shtoi se duhet angazhimi dhe përkushtimi i të gjithëve për të arritur deri tek suksesi.
“Falenderoj për besimin e dhënë. Koha në të cilën po e marrë ekipin nuk është e përshtatshme dhe duhet angazhimi i të gjithëve dhe përkushtimi ynë që të bëjmë më të mirën,” ka thënë Erdogan Celina pas marrjes së besimit.
Trajnari Celina të shtunën do ta zhvillojë stërvitjen e parë me skuadrën, derisa ndihmësit e tij do të jenë Erdogan Brando dhe Blerim Zherka.
Liria nën udhëheqjen e Gjinalit ka arritur të regjistrojë dy fitore dhe katër barazime në nëntë ndeshje të zhvilluara deri më tani në Superligë.