NGA KONFERENCA
Challandes: Performanca e mirë sjell rezultatin e mirë
1 September, 2021 @18:47
Në Batumi sot, përzgjedhësi i Kosovës Bernard Challandes bashkë me Elbasan Rashanin ka qenë prezent në konferencën zyrtare për shtyp të Kosovës para ndeshjes ndaj Gjeorgjisë.
Duke folur vetë për ndeshjen, pastaj edhe duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, zvicerani Challandes ka bërë të ditur se Kosova po synon të marrë pikët e para këtu, ndërsa ato do të vinë nëse tregohet performancë e mirë dhe fortë ndaj një ekipi të vështirë për tu luajtur.
Challandes gjithashtu ka bërë të ditur se ka shikuar ndeshjet e Gjeorgjisë në grup dhe e ka vlerësuar lartë paraqitjen e saj veçanërisht ndaj Spanjës, ku u mposht në fund, si dhe pikën e tyre të fituar jashtë në Greqi e ka cilësuar si shumë të rëndësishme.
“Kosova ka pasur një ëndërr, për të shkuar në EURO 2020. E njëjta çështje ka qenë edhe me Gjeorgjinë. Prandaj mendoj se jemi dy ekipe të përafërta, por e dimë se kjo ndeshje do të jetë e vështirë për ne,” ka thënë fillimisht Challandes.
Më pas, ai pyet nëse është avantazh për Kosovën mos prania e shikuesve në ndeshje.
ORARI I NDESHJEVE dhe TABELAT AKTUALE
“Futbolli pa spektatorë të mos e them nuk është sport, është krejt diçka tjetër. Nuk është mirë, veçanërisht për lojtarët. Por, në këtë situatë duhet të pranojmë rrethanat dhe të vazhdojmë kështu siç është. Jam i zhgënjyer që luajmë pa publik, por duhet të luajmë dhe të tregohemi,” ka thënë zvicerani.
Selektorit të Kosovës i erdhi një pyetje edhe për lojtarët e ri të ftuar dhe mundësinë e tyre për debutim në këtë ndeshje.
“Jemi në fillim të sezoneve futbollistike në Evropë dhe kemi probleme me lojtarë që janë pa ekip por edhe disa që kanë lëndime. Prandaj është dashur të gjindet zgjidhje dhe kam ftuar më të mirët që kam menduar se janë në dispozicioin. Gjithsesi jemi gati të përballemi nesër dhe presim lojë të mirë nga secili që është në fushë,” ka shtuar.
Sa i përket Gjeorgjisë, ai ka thënë se ekipi po synon pikët e para këtu.
“E kam parë Gjeorgjinë dhe është treguar e fortë në këtë grup të fortë. Nuk është lehtë as për Kosovën as për Gjeorgjinë këtu, pasi që këtu janë Spanja, Suedia, por edhe Greqia si ekipe të forta. Por, Gjeorgjia ka marrë rezultate të mira në ndeshjet e para. Për ne do të jetë më vështirë pasi që kemi nisur me humbje. Tash është koha për tu treguar dhe të marrim pikë, duhet të luajmë shumë mirë. Gjeorgjia luan shpejt dhe mirë. Do të jetë ndeshje mjaft interesante,” ka thënë selektori ynë për kundërshtarin e nesërm.
Në fund, Challandes u pyet edhe për mungesat e rëndësishme të skuadrës si Arbër Zeneli e Edon Zhegrova.
ORARI I NDESHJEVE dhe TABELAT AKTUALE
“Të dy janë të lënduar prandaj nuk janë me ekipin. Duhet të pranojmë se nuk është situata më e mirë për ne kjo që është, por edhe Gjeorgjia ka mungesat e veta dhe jemi aty-këtu. Duhet të pranojmë faktin që është dhe të vazhdojmë tutje me më të mirët që kemi për të luftuar,” ka përfunduar Challandes.
Kosova ka humbur dy ndeshjet e para të Grupit B, nga Suedia e Spanja. Gjeorgjia në anën tjetër ka siguruar pikë jashtë, duke barazuar me Greqinë, ndërsa është mposhtur vonë në përballje ndaj Spanjës.
Gjeorgjia para kësaj ndeshjeje ka një pikë në këtë grup, ndërsa Kosova është e fundit në grup me zero pikë.
Ndeshja luhet nesër në stadium Batumi Arena me fillim prej orës 18:00.