FAIR PLAY FINANCIAR - ANALIZË
Chelsea, mbret i financave
Mundo Deportivo
1 August, 2014 @21:13
Klubi nga Londra, Chelsea, është shembulli ideal i Fair Playit Financiar të kërkuar nga UEFA dhe puna e Jose Mourinhos bashkë me shpenzimet e Roman Abramovichit - duket të jenë të koordinuara në mënyrë perfekte, që përkundër transferimeve të bujshme - ata të jenë në plus!
Shitblerjet e verës
Po. Cesc Fabregas, Diego Costa, Felipe Luis dhe Didier Drogba - janë blerë me miliona të tërë, por Chelsea është në fitim sa i përket politikës së transferimeve nga fillimi i vitit.
Cesc ka kushtuar 33 milionë euro, Costa 30 milionë, Felipe 20 milionë, derisa Drogba ka ardhur me parametra zero e Drago Pasalic për 2.5 milionë euro nga Hajduku i Splitit.
Totali i shpenzimeve është 93.5 milionë euro nga Mourinho.
Sidoqoftë, rregulli i Fair Playit Financiar që po bëhet gjithnjë e më i kërkuar nga UEFA për shkak të mbrojtjes së klubeve nga borxhet e tepërta dhe falimentimi i mundshëm, është zbatuar tejet mirë nga drejtuesit në Stamford Bridge.
David Luiz ka shkuar për 50 milionë euro drejt Paris St Germain, kurse 35 milionëshi i fituar për shitjen e Romelu Lukakus drejt Evertonit - pothuajse barazon shitblerjet e ekipit në verë.
Demba Ba shkoi në Turqi te Besiktasi për 6 milionë euro - që Chelsean e bën me të hyra totale vetëm gjatë verës - 91 milionë euro.
Viti 2014 nga janari, deri sot
Nëse mirret tash parasysh edhe janari, kur Chelsea pagoi 25 milionë euro për Nemanja Maticin që erdhi nga Benfica, 13.2 milionë euro për Mohamed Salahun nga Baseli, Kurt Zouma për 14.6 milionë euro nga St Ettiene - e shitja e Juan Matas për 45 e Kevin De Bruynes për 20 milionë të tjera - e bëjnë Chelsean të përfundojë vitin 2014 (deri më sot) me 146 milionë euro të shpenzuara dhe 158 milionë euro të fituara.
Kjo lë llogarinë e klubit me 12 milionë euro fitim vetëm nga shitblerja e lojtarëve duke mos llogaritur asnjë të ardhur tjetër, derisa kartela e Chelseat duket të jetë më se e ekuilibruar në UEFA.