PËRFITIMI I MADH I BENFICËS

Chelsea thyen rekordin britanik, siguron Enzo Fernandezin
1 February, 2023 @11:00
Në Stamford Bridge pritet të zbarkojë shpejt kampioni i Botës me Argjentinën dhe njëri ndër futbollistët që doli në pah prej verës së kaluar me Benficën, Enzo Fernandez. Mesfushori në fjalë, është bërë rekord-transfer i ekipeve në futbollin britanik, derisa Chelsea është pajtuar që të derdh në arkën e Benficës 121-milionë euro.
Me këtë, thyhet rekordi i Jack Grealishit, për të cilin Manchester City kishte paguar 113-milionë euro në arkën e Aston Villës.
Fernandez 22-vjeçar u bë lojtar i Benficës në verën që e lamë pas, duke nënshkruar për ekipin portugez për 11.3-milionë euro nga River Plate argjentinas! Ai u zgjodh lojtari më i ri i Botërorit gjatë triumfit të Argjentinës në Kampionatin Botëror të Katarit.
Fernandez ka shënuar katër gola në 29 paraqitje për Benficën përgjatë stinorit 2022/23 ndërsa dha një gol edhe për Argjentinën në “Katari 2022”.
Chelsea ende nuk e ka zyrtarizuar lojtarin, ndërsa të gjitha mediat angleze tashmë kanë siguruar njoftimin për dakordimin e klubeve në fjalë për lojtarin.