MENDIM
City me Guardiolën
Shkruan: Gent POLLOSHKA
1 February, 2016 @15:27
Kur Pep Guardiola e konfirmoi largimin e tij nga Bayerni, zërat se ai do të shkonte në Premier Ligën u dëgjuan menjeherë. Çështja dukej e thjeshtë: City apo United? Mirëpo, duke marrë parasysh të kaluarën, faktin që spanjolli zgjodhi Bayernin e kompletuar pas largimit nga Barcelona, bëri që kuotat të anonin më tepër nga City dhe kjo doli të ishte e saktë. Në fakt, zgjedhja e Bayernit ishte sfidë në vete, nëse kemi parasysh faktin që Bayerni sapo kishte fituar tripletën me trajnerin Heynckes dhe pritshmëritë ishin të mëdha edhe në sezonin vijues. Drejtuesit e Bayernit ishin të bindur që suksesi në Evropë mund të vazhdonte edhe për të dytin vit radhazi me potencialin që Bayerni e posedonte. Por gjithsesi, zgjedhja e Bayernit ishte një sfidë më e vogël sesa zgjedhja e ndonjë skuadre në ndërtim e sipër, siç mund të ishte United, Chelsea apo Milano.
Epoka e Pep Guardiolës tek Barcelona ishte fantastike. Aplikimi i futbollit që Guardiola bëri tek Barcelona ishte një lloj revolucioni në taktikat e futbollit. Periudha e viteve 2008-2012 na dhuroi ndoshta Barcelonën më të bukur të të gjitha kohërave. Stili i lojës “tiki-taka”, 2 Champions League të fituara, sezoni 2008/2009 i mbyllur me 6 tituj nga 6 të mundshëm, ngadhënjimi në “El Classicot” e zhvilluara me rezultate bindëse në këto vite bën që emri i Pep Guardiolës të kujtohet gjithmonë në botën e futbollit.
Por a ishte periudha e tij tek Bayerni po aq e suksesshme sa ajo periudhë tek Barcelona? A mund Guardiola të jetë edhe diku tjetër i sukesshëm ashtu siç ishte tek Barcelona? A ishte faktori “Messi me shokë” që e bëri emrin e Guardiolës edhe më të madh sesa që është në të vërtetë? Kjo është një nga pyetjet më interesante në kohët e fundit.
Nëse Pep Guardiola nuk e fiton Champions Leaguen këtë sezon, periudha e tij tek Bayerni do të ishte DËSHTIM. Tashmë aventura e tij u konfirmua që do të zgjasë vetëm 3 vite dhe për 3 vjet Guardiola nuk arriti pothuajse asgjë mbresëlënëse me bavarezët. Me një Bayern të kompletuar pas tripletës, me buxhet pa limit, me një ligë me më pak ndeshje sesa ligat tjera evropiane (nënkupton më shumë pushim e më pak mundësi për lëndime të lojtarëve), mungesa e suksesit në skenën evropiane për Bayernin është e paarsyetueshme. Nuk mjafton fitimi i Bundesligës gjermane për t’u konfirmuar si trajner i madh tek Bayerni. Me fondin e lojtarëve që ka gjigandi bavarez, Bundesligën mund ta fitojë cilido trajner mesatar. Guardiola u emërua si trajner i Bayernit për të arritur suksese në Evropë dhe kjo nuk ndodhi ende, të paktën deri tani.
Emërimi i tij tek Manchester City pritet të jetë shumë interesant. Presioni i mediave angleze, pritshmëritë dhe dëshira e sheikut për sukses në Evropë, buxheti i padiskutueshëm që e ka në dispozicion, skuadra pothuajse e kompletuar (përveç moshës jo shumë të re momentale), Premier Liga dhe befasitë e papritshme, të gjitha këto bëjnë që Guardiola i vërtetë të shihet nga afër. Lluksi i Bayernit në ligën gjermane ku kampionati sigurohet në muajin mars apo prania e Messit me shokë nuk janë më në krahun e spanjollit. Premier Liga do të jetë sfida testuese për Guardiolën. Për më tepër, çdo gjë bëhet edhe më e bukur kur shohim një Liverpool që po e kërkon ringjalljen me Kloppin, Chelsea që do të ketë trajner të ri nga qershori, me gjasa të mëdha edhe United, Tottenhami që nuk po lëshon terren me Pochettinon dhe Arsenali i Wengerit që pas shumë viteve është serioz për titull.
Pep Guardiolën e pret një detyrë e madhe por një gjë është e sigurtë: shpenzimet e tij në verë do të jenë marramendëse. Lëndimet e Agueros dhe mosha mbi 30 vjeç e treshes Kompany-Silva-Yaya Toure nuk janë gjëra që tolerohen nga Guardiola, i cili gjithmonë ka kërkuar skuadër mesatarisht të re në moshë dhe bankë rezervë të fortë. Liria e shpenzimeve ia mundëson plotësimin e dëshirave. Një super-trajner apo një trajner i ngritur në qiell nga ‘Messi me shokë’. Se çka do të ndodhë, mbetet të shihet. Ky mbetet vetëm një mendim.