KOLUMNE
Çka pamë në lojën Turqia-Kosova?
Shkruan: Luan MORINA
13 November, 2016 @10:39
Kombëtarja e Kosovës në futboll vazhdon të rritet! Shumë gjëra pozitive mund të nxjerrim nga ndeshja me Turqinë, e cila nuk është në ditët e saja më të mira, por megjithatë është një kombëtare që ka medalje nga Botërorët.
Ekipi luajti me më shumë vetëbesim, siguri, në krahasim me ndeshjet e tjera. Kishte avancime në çdo sektor. E vetmja gjë e pakuptimtë, deri në një shkallë ishte mosaktivizimi i asnjë lojtari nga banka rezervë. Tash, e vetmja gjë e arsyeshme do të mund të ishte tentimi për të mbajtur të njëjtin formacion për 90 minuta, me qëllim që të shohim se si do të funksiononte 11-shja startuese. E pabesueshme, por nuk gjej asnjë arsyetim tjetër. Sidomos në këtë fazë ndërtimi që na duhen sa më shumë eksperimente.
Nëse ky ka qenë qëllimi i Bunjakit, atëherë mund të them se e ka kryer me sukses, pasi edhe pas minutës së 80-të, ndoshta për shkak të Turqisë së lehtësuar me rezultat, lojtarët tanë ishin aktiv në krijimin e rasteve.
Bunjaki gjithashtu duket se provoi një formacion më ndryshe, me krahë më të kthyer në mesfushë dhe Berishën si sulmues në hije kohëpaskohe. Ishim më të pakët në kundërsulme dhe Zeneli sikur nuk përshtatej mirë në krahun e tij. Lojën paraprake ka qenë shumë më i mirë kur luante në qendër se sa sot në krah.
Rashica nuk ishte në ditët e tij më të mira, dhe mungesa e një krahu rrezikues në anën tjetër ndoshta ka lënduar në krijimin e hapësirës për njëri tjetrin. Muriqi ishte i mirë sot, ndoshta për shkak të ndihmës dhe afrimeve të shpeshta të Berishës.
Ajo çfarë na mungonte në sulm ishte pasimi final. Ose gjuanim herët dhe lart, ose vononim në pasimin e fundit. Loja në vijë të lartë të turqve na lëndonte me ofsajda. Dukeshim të papërvojë në llogaritjen e kohës së pasimit përtej vijës së mbrojtjes kur të katër sulmuesit ishin në vijë. Pasimet në hapësirë nuk i kemi aq të mira akoma.
Alushi dhe Shala janë përshtatur mirë në qendër të mesfushës. Njëri ofronte përvojën, tjetri talentin e tij. Më pëlqeu ky eksperiment, dhe ishte bajagi i dobishëm. Mirëpo, që të dy, ngjashëm si krahët ishin më të koncentruar në pjesën defensive mbrëmë.
E vija e mbrojtjes më në fund kishte mësuar ofsajdin më mirë. Lëvizjet ishin më të sinkronizuara, por jo të përkryera. Pak edhe për shkak të Burakut dhe afinitetit të tij ndaj ofsajdit kemi qenë ndoshta të suksesshëm, por ka përparim. Rrahmani e Pnishi ishin të mirë sonte, derisa Përdedaj ende është më i mirë në pjesën ofensive se sa defensive si mbrojtës i djathtë.
Ai që më impresionoi ishte Benjamin Kololli. Ishte tepër i mirë në krahun e majtë dhe besoj që mund të shërbej si një alternativë e dobishme në këtë pjesë të terrenit, me kalimin e kohës. Aktivizimi i tij jep shpresa edhe tek ekipi teknik i cili nuk qëndron duarkryq mesa duket dhe vazhdon të kërkoj talente tona anembanë Evropës.
Askush nuk ishte si Ujkani i cili duket se kishte rilindur këtë muajin e fundit. Ishte i jashtëzakonshëm në shumë raste me pritjet e tij. Ishte dita e tij! Shpresoj që mos të jetë vetëm një ditë, por të jetë njëlloj adaptimi dhe forma e tij e kaluar të kishte qenë vetëm një periudhë ndërtimi në këtë Ujkanin kundër Turqisë.
Verdikti
Pra, ishte një ndeshje e bukur nga ana jonë. Ishim të përqendruar në mbrojtje dhe arritëm të mbaheshim për një kohë të mirë. Golin e morëm për shkak të pakujdesisë së shkaktuar nga Malli i cili ishte në pozitë krejt tjetër nga Ozyakup. Këtë mund ta marrim si arsyetim, por duhet të jemi më të vëmendshëm.
Përgatitja psikike kur po jemi në disavantazh ndoshta po ndikon tek lojtarët. Megjithatë ata po vrapojnë e sulmojnë deri në fishkëllimën e fundit. Kjo është për tu lavdëruar. Zëvendësimet, mungesa e tyre më saktë, mbetet mister i kësaj ndeshjeje.
Ajo çfarë duhet të bëjmë është që mos të luajmë për rezultat, as mos ta përmendim në konferenca për media. Primare është të adaptohemi si ekip, të rritemi me përvojë dhe kohë në fushë, të komunikojmë dhe të provojmë gjëra.
Nevojitet kohë në konsolidimin e ekipit. Nëse asgjë, nuk besoj që klasat e para që kanë nisur mësimin në shtator janë më të konsoliduara si ekipe pas gati tre muaj pune. Edhe ne si kombëtare jemi në klasën e parë. Lypet kohë për të shkruar një fjali pa gabime, për të luajtur një lojë të përkryer. Kjo mbrëmë ishte shumë e mirë.